Shteti ia konfiskon gjithë pasurinë gjyqtarit të korruptuar

Shteti ia konfiskon gjithë pasurinë gjyqtarit të korruptuar

Para tre ditësh Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar ish-gjyqtarin nga Klina, Kolë Puka, me 4 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, pastrim parash dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Kjo gjykatë gjithashtu ia ndaloi ushtrimin e profesionit të juristit për tre vjet si dhe dha urdhër që t`i konfiskohet pasuria të cilën e ka përfituar nga veprat për të cilat akuzohej.

Insajderi ka siguruar kërkesën e Gjykatës lidhur me konfiskimin e pasurisë së Pukajt.

Sipas kësaj kërkese, Pukajt do t`i merren një banesë, shtëpia, toka bujqësore dhe një lokal afarist në Klinë. Gjithashtu edhe një banesë në Prishtinë, një veturë, mjetet financiare nga shitja e dy lokaleve si dhe dy parcela toke dhe shtëpia moderne në Ulqin.

Bazuar në kërkesën e gjykatës atij do t`i merren banesa në Klinë, në sipërfaqe prej 36 m2, çmimi i së cilës është 12 mijë euro e cila tani figuron në emër të mikut Kastriot Gegaj nga Gurakoci. Shtëpia dy katërshe e cila gjendet në Klinë në sipërfaqe prej 209 m2 dhe toka bujqësore në sipërfaqe prej 1182 m2 që tani figuron në emër të Tom Puka (vëllau i Kole Pukës) + toka me dy parcela.

Po ashtu edhe lokali afarist në Klinë në sipërfaqe prej 39.86 m2 e cila është në emër të vëllait të tij, shkruan Insajderi.

Përveç këtyre pasurive Pukës do t`i konfiskohet edhe banesa në lagjen Ulpiana në Prishtinë në sipërfaqe prej 97.30 m2, me çmimin prej 125 mijë euro.

Shteti do t`ia ve dryrin edhe pronave tjera që Kola posedon në Mal të Zi. Një parcelë toke në Ulqin në sipërfaqe prej 308 m2, në të cilën gjendet edhe një shtëpi modern, e cila tani figuron në emër të Ilir Gegaj nga Australija (miku i Kolë Pukës).  Edhe një parcelë tjetër në sipërfaqen prej 171 m2 poashtu në Ulqin, e cila figuron në emër të Zef Puka prindi i Kolë Pukës.

Pas dënimit nga gjykata Kola ka mbetur edhe pa veturën e markës AUDI A6 e cila tani figuron në emrin e mikut të tij Kastriot Gegajt.

Si dhe i janë konfiskohen mjetet financiare në emër të shitjes së dy lokaleve afariste të blera nga ai, që sipas kontratave të deponuara në shkresat e lëndës njëra ka vlerë prej 35 mijë dhe tjetra 28 mijë euro.

Nga të gjitha kërkesat pë konfiskim të pasurisë, vetëm ajo për vetyrën Volswagen Lupo, që figuron në emër të bashkëshortes së tij Mire Puka, nuk u miratua.

Në anën tjetër, gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë që të konfiskoheshin asetet e tanimë të ndjerit, Hilmi Hanës të cilën prokuroria e ngarkonte se ka vepruar në bashkëkryerje me Kolë Pukën, për arsye se siç tha gjyqtari Hilmi Hana, nuk ka qenë pjesë e procedurës penale si i akuzuar./Insajderi.com