Shteti lë nxënësit kosovar të mësojnë definicione homofobike

Gjuha diskriminuese nëpër librat shkollor kosovar kundrejt komunitetit LGBTI+është jashtëzakonisht e pranishme. Autorët e këtyre librave e hedhin fajin tek njëri-tjetri por edhe bëjnë thirrje që të ndryshohen ato tekste. E Ministria e Arsimit nuk është e gatshme as të kthej përgjigje

Shteti lë nxënësit kosovar të mësojnë definicione homofobike

Nxënësit kosovar që mësojnë në libra për lëndë të ndryshme sikurse Biologjia, Sociologjia apo Psikologjia, mësojnë gjëra krejtësisht të gabuara sa i përket orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Në shumë prej teksteve shkollore të cilat përdoren në shkollat e mesme në Kosovë gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+ është evidente.

Librat në fjalë janë: “Biologjia 12”- Gjimnazi i Shkencave te Natyrës,“Sociologjia (12,13)”- Gjimnazi i Shkencave Shoqërore 12, Gjimnazi i Përgjithshëm 13, “Sociologjia 11” – Gjimnazi i shkencave shoqërore,“Psikologjia 11”- Gjimnazi i shkencave natyrore, Gjimnazi i shkencave shoqërore, Gjimnazi matematikë dhe informatikë.

Për shembull në librin, “Biologjia 12” të Gjimnazit të Shkencave Natyrore, në faqen 27 shkruhet se “Homoseksualiteti llogaritet si formë devijuese e sjelljes”.

 

E autorët e këtyre librave nuk pranojnë të marrin përgjegjësinë për ato çfarë kanë shkruar.

Autorëve të librave u janë bërë disa pyetje, lidhur me origjinën e këtyre konkludimeve, ku janë bazuar duke marrë parasysh se këto konkludime nuk kanë për bazë asnjë fusnotë,  nëse ata ende mendojnë njëjtë apo nëse mendojnë që këto pjesë duhet të largohen nga tekstet shkollore.

Në librat Sociologjia (12, 13), faqe 110, është përmendur që familja mbështetet në lidhje heteroseksuale, në të cilën gratë dhe burrat plotësojnë nevojat natyrore seksuale, shpirtërore, morale dhe estetike dhe në Sociologjia 11, faqe 32, familja cilësohet si rregullator i marrëdhënieve seksuale, me ç’rast marrëdhëniet seksuale duhet të jenë mes burrave dhe grave.

Autorët e librave Sociologjia (12, 13) dhe Sociologjia 11 u kanë ikur përgjigjeve të drejtpërdrejta ndaj pyetjeve. Ibrahim Berisha, profesor i sociologjisë në departamentin e sociologjisë të Fakultetit Filozofik,përgjegjësinë në lidhje me tekstin e shkruar e drejtoi nga Anton Berishaj, gjithashtu profesor në departamentin e sociologjisë.

Ndërsa Anton Berishaj si përgjigje ka thënë që kanë kaluar aq shumë vite sa që nuk e di se cili autor cilën pjesë të librit e ka shkruar. Përderisa pranon që disa pohime tani mund të duken si të tejkaluara, nuk tregon mendimin e tij të tanishëm lidhje me pohimin në tekstin shkollor, por vetëm vë fajin tek Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

“Problemi kryesor këtu është se MASHT nuk ka manifestuar interes për rifreskimin e teksteve (në mungesë të mjeteve – sigurisht), dhe disa pohime mund të duken tani, pas shumë vitesh, si të tejkaluara”, thotë Berishaj.

Në librin Psikologjia  11, faqe 85, një definicion i fetishizmit transvestik si një çrregullim seksual mund të konsiderohet si i mangët me ç’rast mund të keqkuptohet nga lexuesit.

“Fetishizmi tranzvestik ka të bëjë me arritjen e kënaqësisë seksuale, duke u veshur si një person i seksit tjetër”, është shkruar në libër. Përderisa  definicioni është i plotë nëse përmendet edhe që për shkak të kësaj mënyre të arritjes së kënaqësisë seksuale, personi ndien ankth dhe ndjenë shqetësim.

Vetëm dy nga tre autorët ishin të qasshëm, të cilët nuk pranuan që kishin shkruar pjesën e çrregullimeve seksuale me ç’rast mbetet barrën ia lanë, duke mos pranuar që janë autorë të asaj pjese, të ndjerit Pajazit Nushi.

Dashamir Bërxulli, profesor në departamentin e psikologjisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë që teksti i përket realitetit studimor që ka qenë i saktë në kohën e botimit.

“Në fund, nuk ka dyshim, se rishikimi i teksteve shkollore, një ndërmarrje kjo e rëndësishme dhe permanente për çdo shoqëri dhe sistem arsimor, nuk është kompetencë e autorëve, por e institucioneve përkatëse”, thotë Bërxulli.

Ndërsa Neki Juniku, ish-profesor në po të njëjtin departament, thotë që teksti ka nevojë për përmirësime dhe rifreskim.

Në fund, por mbase më me ndikim për shkak të mënyrës së shprehjes që mund të konsiderohet edhe ofenduese, mbetet libri Biologjia 12, faqe 27.

Në këtë libër homoseksualiteti, ndër sjelljet e tjera si kriminaliteti dhe konsumimi i drogës apo alkoolit, llogaritet si formë devijuese e sjelljes apo edhe aberante (jonormale), dhe përveç kësaj në tekst thuhet që në shprehjen e këtyre si “veçori” ndikon ambienti i jashtëm.

Dy nga autorët e librit Fetah Halili dhe  Agim Gashi, kanë gjetur dhe ofruar materialet prej ku janë bazuar kur kanë përgatitur materialin shkollor. Ato ishin libra të botuar në Sarajevë në vitet, 1986, 1999, 2002 dhe 2005. Në citatin e dërguar në gjuhën boshnjake  pos që thuhet që homoseksualiteti është sjellje deviante, “relativisht trashëgimi e lartë është regjistruar për sjellje kriminale, homoseksualitet dhe alkoolizëm”.

Autorët kanë thënë që përgjigja, nëse mendojnë ende njëjtë sikurse në tekstin e shkruar, duhet të jepet në këndvështrimin e kodit social dhe shkencor. Ata thonë që raporti i njeriut për seksualitetin ka ndryshuar prej epoke në tjetrën dhe prej një kulture në tjetrën.

“Sot jeta seksuale e çdo individi është çështje e zgjedhjes se tij, deri ne momentin kur  nuk rrezikohen të tjerët. Pajtohemi që në  asnjë mënyrë (duke përfshirë gjuhen verbale ose të shkruar), nuk duhet të pengohet  orientimi  i lirë seksual si   dhe nuk duhet shtypur ata që  përcaktohen për një orientim  homoseksual”, kanë shkruar ata, duke thënë që heteroseksualiteti mundëson vazhdimin e jetës.

“Andaj, nëse  në pajtueshmëri me kodin aktual  shoqëror, shprehja “homoseksualiteti është formë  devijante e sjelljes”  konsiderohet gjuhe  diskriminuese ndaj komunitetit LBGTI , (Biologjia 12,  Gjimnazi  i Shkencave te Natyrës, faqe 12) atëherë si e tillë mund te hiqet”, shkruhet në përgjigjen e tyre.

Përderisa në këndvështrimin shkencor homoseksualitetin e cilësojnë si problem të ndërlikuar “në të cilin përfshihet baza gjenetike, sistemi nervor, faktorët mjedisor si  dhe  mekanizmat e komunikimit qelizor neurokrin, neuroendokrin dhe endokrin.”

Pasi që fajin autorët kryesish ia lanë MASHT-it, Insajderi ka provuar të vendosë disa herë kontakt me ta pasi edhe u janë dërguar pyetje lidhur me çështjen, por pos që thoshin që do të përgjigjeshin brenda ditës apo të nesërmen nuk kanë kthyer asnjë përgjigje ndaj pyetjeve.

Të gjitha këto tekste duke pasur përmbajtje diskriminuese e deri tek ofenduese, dhe nuk është bërë rifreskimi i tyre tash e 10 vjet.

Si një vend ende në tranzicion dhe me shumë çështje të mbetura tabu, Kosova duket që do mbesë mbrapa edhe për mjaft gjatë.

Tash e sa kohë po diskutohet për gjuhën diskriminuese dhe diskriminimin në tërësi ndaj grupeve dhe komuniteteve të ndryshme. Shumë OJQ dhe aktivistë/e ngrihen marshojnë e protestojnë për të drejtat që njerëzit veçse i kanë të garantuara, me shpresë se zëri i tyre do të arrijë sado pak institucionet dhe qytetarët.

(Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar  – USAID dhe realizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC).