Shteti nuk ngutet kur kërcënohen drejtuesit e VV-së siç vepron kur kërcënohen anëtarët e pushtetit

Mesazhe me përmbajtje të njëjtë kërcënuese kanë marrë Arban Abrashi, Besnik Mustafa e Dardan Molliqaj. Por, shteti nuk është treguar i drejtë për të tre. Për kërcënimin e ministrit Abrashi dhe djalit të kryeministrit Isa Mustafa - Besnikit, brenda 24 orësh kërcënuesi ishte arrestuar, akuzuar dhe dënuar me 3 muaj burgim. Për kërcënimet që i janë bërë sekretarit të VV-së, Dardan Moliqaj nga vëllai i ndihmësdrejtorit të Policisë, Rashit Qalaj – Xhevati, shteti ka vepruar “me procedurë të rregullt”.

Shteti nuk ngutet kur kërcënohen drejtuesit e VV-së siç vepron kur kërcënohen anëtarët e pushtetit

Arban Abrashi e Dardan Moliqaj kanë marrë kërcënime të njëjta nëpërmjet Facebook-ut. Por, shteti nuk ka vepruar njësoj në këto dy raste kërcënimesh.

Kur në gusht të vitit 2015 një i ri nga fshati Zajm i Klinës kishte kërcënuar ministrin e Punës, Arban Abrashin dhe djalin e kryeministrit Isa Mustafa, Besnikun, Policia, Prokuroria dhe Gjykata kishin reaguar me urgjencë.

Për kërcënimet e bëra në adresë të Abrashit dhe Mustafës, Alban Morina ishte arrestuar në ora 12 e 35 minuta të natës. Brenda 24 orësh ishte ngritur aktakuzë kundër tij. Ishte gjykuar dhe dënuar me tre muaj burgim. Përveç kësaj, Gjykata ia kishte caktuar paraburgimin deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Ishte arsyetuar se i akuzuari mund ta përsëris veprën, të ndikojë në dëshmitarë apo edhe të arratiset nga Kosova.

Mirëpo, kur është fjala për kërcënime kundër drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, urgjenca për Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën nuk ekziston.

Sekretari i LVV-së, Dardan Molliqaj është kërcënuar me jetë nga vëllai i ndihmës drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, Xhevati.

“Dëgjo mirë, për shpifjen ndaj babit tim se gjoja bashkëpunëtor i SPS nëse nuk kërkon falje publike kam me të faru me shka te ki të gjallë. E sa për vllahun Rashit Qalaj nëse ki dëshmi dil me to padite rregullore sipas ligjit, e me mu ki punë. Beso ki mi ra pishman që je gjallë”, i kishte shkruar Xhevat Qalaj, Dardan Mlloqajt ditën që sekretari i VV-së kishte bërë akuza në drejtim të krerëve të Policisë për lidhje me Kadri Veselin dhe strukturat politike e të sigurisë së Serbisë.

Të nesërmen Molliqaj kishte marrë sërish një kërcënim me jetë nga Xhevat Qalaj.

“Pse nuk ktheve përgjigje Zotrote? Trilloni gjera të pa qena, as nuk ka banesë aty ku pretendoni, as babi nuk ishte kurrë bashkëpunëtor i serbit, përkundrazi te ka qenë shkolla e mesme për tërë rajonin, të persekutuar e të rrahur disa herë nga policia serbe. Dy ushtar të UÇK-së edhe atë prej ditëve të para edhe në UÇPMB, si s’ke pak turp të na etiketosh kaq keq. Nëse ke vetëm pak moral duhet kërkim falje edhe pse e di që politika kosovare s’ka moral. Vetëm dije mirë se më ke shumë borxh, ku sipas kanunit e di shka pret. Të betohem, nëse nuk kërkon falje do e pësosh keq”, i kishte shkruar Xhevat Qalaj për të dytën herë Molliqajt.

Ndonëse natyra e kërcënimeve dhe mjeti për kryerjen e kësaj vepre penale është i njëjtë si në rastin e Arban Abrashit dhe Besnik Mustafës, Xhevat Qalaj – vëllai i ndihmësdrejtorit për operacione në Polici, Rashit Qalaj nuk është arrestuar.

Të kontaktuar nga Insajderi, Policia ka bërë të ditur veprimet e saj sipas udhëzimeve të Prokurorisë.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju informojmë se, personi në fjalë ka raportuar rastin në Polici me datë 07.05.2017, dhe  në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti ‘kanosje’ , në Stacionin Policor ‘Jugu’ në Prishtinë, ku ankuesi D.M. ka raportuar për një rast kërcënimi përmes rrjeteve sociale”, ka thënë Policia nëpërmjet zyrës për media.

“Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore komfor procedurave të parapara ligjore”.

Arrestimin, akuzimin, dënimin dhe paraburgosejen e Morinës ishte munduar ta arsyetonte shteti si kërcënim shumë serioz.

Vepra penale e kërcënimit nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ishte cilësuar si tepër serioze nga gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Naime Krasniqi – Jashanica.

Në gusht të vitit 2015, Besnik Mustafa – djali i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook se anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë kërcënuar atë personalisht dhe familjen tij.

“Trimat e VV më kanë kërcënuar edhe mua dhe familjen time”, kishte shkruar Mustafa, duke shtuar se kërcënimin ndaj tij e ka paraqitur edhe në polici.

“Një pjesë të tekstit e shlyejta për hir të publikut, sepse është një fjalor banal. Atë do t’ua prezantoj organeve te ligjit”, kishte thënë Mustafa.

“Pos atyre qe i kam shlyer, Alban Morina i VV kërcënon: ‘Kena me ju kall me benzinë, nga sot po të them ruaje kokën mos u end shlirë’”, kishte thënë Besnik Mustafa.

Nëpërmjet “Facebookut” kërcënimin e ka prezantuar edhe ministri, Arban Abrashi.

“Tash ta shpërndaj një nga kërcënimet e radhës! Sidoqoftë, nuk më ndalin ata që nuk e njohin dhe nuk besojnë në shtetin e Kosovës”, kishte shkruar Abrashi mbi fotografinë e bisedës kërcënuese”.  “Tan Kosova nërvikoset kur të she ty dhe atë Putin komunistin në TV dhe mos dil në TV me belbu bla, bla, bla se s’ju shkojnë rrenat ma. Populli ju ka marrë erë në qafë e ti për mua dhe familjen time mos u bej marak, po behu marak për vete se revolucioni popullor është afër dhe shumë prej jush kanë mu vjerr në semafora”, kishte shkruar Alban Morina në adresë të ministrit Abrashi.

Ky ishte rasti i parë që Gjykata kishte vendosur kaq shpejt në një rast penal, derisa më qindra lëndë parashkruhen për shkak të mosefikasitetit të Prokurorisë dhe Gjykatave.

Vepra penale e kanosjes është e dënueshme deri në 1 vit burgim.

Gjyqtarja e vetme e kishte arsyetuar dënimin dhe masën e paraburgimit në aktgjykim. Kishte thënë se rasti është shumë serioz. Për këtë arsye kishte vendosur në këtë mënyrë. Madje, kishte refuzuar si të pabazuar pendimin e të pandehurit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ushtruar aktakuzë më 31 gusht për shkak se i pandehuri ka kryer veprën penale Kanosje… Kjo gjykatë lidhur me aktakuzën ka mbajtur shqyrtimin fillestar po më 31 gusht… Ka dëgjuar prokurorin e shtetit Naim Abazi, të pandehurin Alban Morina, mbrojtësin e tij avokatin Kushtrim Bytyqi sipas detyrës zyrtare dhe shpalli këtë aktgjykim me të cilin i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre muajsh të cilin do ta vuaj deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi dhe në të njëjtën kohë pas shpalljes së aktgjykimit ka marrë vendim që t’i caktohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij dënimi, por jo më gjatë se dënimi pasi ka gjetur se ekzistojnë shkaqet dhe arsyet e parapara me ligj nga neni 185 paragrafi 1 dhe 2 pika 1.2.3 të KPPK-së”, thuhej në aktvendim./Insajderi.com