Shteti paralajmëron dënime për ata që “kallin” goma për 1 Maj

Shteti paralajmëron dënime për ata që “kallin” goma për 1 Maj

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit ka paralajmëruar ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma  në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj.

“Ndezja e zjarreve dhe në veçanti gomave, për festën e 1 majit, janë veprime që do të ndëshkohen. Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht gjoba është 100 euro”thuhet në një komunikatë për media.

Në komunikatë po ashtu thuhet se “Ndezja e zjarreve të tilla, bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës”.

Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë.

Ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar më së shumti fëmijët, ose janë djegur edhe sipërfaqe të tëra me pyje. /Insajderi.com