Shteti s’ua njeh stazhin e punës punëtorëve që u larguan dhunshëm nga puna para luftës

Shteti s’ua njeh stazhin e punës punëtorëve që u larguan dhunshëm nga puna para luftës

Të qenit me pushtuesin dhe kundër vendit është privilegj në Republikën e Kosovës, e cila u çlirua me luftë nga pushtuesi serb duke mbetur të vrarë për ketë liri mijëra luftëtarë, mijëra të masakruar, mbi 20.000 të gra të dhunuara, mbi 300.000, shtëpi të djegura dhe mbi 1 milion banorë të dëbuar.

Të gjithë atyre që janë larguar nga puna nga marsi i vitit 1989, kur Serbia e pushtoi Kosovën duke e ndryshuar Kushtetutën e Kosovës me tanke, dhe kanë vazhduar të punojnë nën urdhrat e Qeverisë së Kosovës e cila me referendum e shpalli pavarësinë dhe krijojë institucionet paralele, nuk po iu njihet përvoja e punës, ndërsa të gjithë ata që kanë vazhduar të punojnë në polici dhe institucionet tjera, nën urdhrat e pushtuesit, nën masa të dhunshme deri 12 qershor 1999, Republika e Kosovës iu njeh si stazh pune dhe marrin pensionin e paraluftës.

Shukrije Rexhepi, e cila nuk po arrin pensionin e plotë kontribut pagues për më pak se një vit, thotë se në dy sistemet, në atë të paraluftës dhe tash nga autoritetet e Kosovës, janë të diskriminuar.

“Në vitin 2004 është nxjerr ligji për skemat pensionale, i cili ka paraparë pragun për pensionistët kontributdhënës, 15 vjet. Prag të cilin unë dhe shumë pensionistë të cilët tani gjinden në pension dhe të cilët në të ardhmen do të jenë në pension nuk e arrin. Unë nuk e arrijë këtë prag, i cili është si kusht për arritjen e pensionit të plotë, për më pak se një vit… Ky prag nuk vlen për komunitetin serb, ndërsa vlen për shqiptarët, sepse komuniteti serb në atë kohë nuk janë larguar nga puna, jemi larguar vetëm ne”, ka thënë Rexhepi, raporton KsP.

Edhe institucioni i Avokatit të Popullit ka rekomanduar ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, se kjo e drejtë e kontributpaguesve nuk mund të kufizohet me ligje apo akte të nxjerra më vonë.

Avokati i Popullit i ka përcjellë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), raportin me rekomandime përkitazi me të drejtën në pension kontributpagues të moshës.

“Avokati i Popullit vlerëson se pensioni kontributpagues është një e drejtë e fituar në bazë të normave ligjore të caktuara, e drejtë kjo e cila nuk mund të kufizohet me ligje apo akte të nxjerra më vonë. Për më shumë, ky raport argumenton se ushtrimi i të drejtës në pensionin kontributpagues të moshës, paraqet ushtrim të së drejtës në pronë, në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), në raport me kushtëzimin e ushtrimit të së drejtës në këtë pension, në bazë të Ligjit për Skemat Pensionale”, thonë në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Ndërsa, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK), Avni Ajdini, ka thënë për KosovaPress se për fat të keq ka punëtorë që nuk mund ta arrijnë pensionin e plotë për tri ditë, për një javë, për një muaj e për tre muaj.

Ai ka shtuar se shumë herë kanë kërkuar ndryshimin e kësaj skeme pensionale, për çka kanë marrë edhe premtime gjatë fushatave zgjedhore nga krerët e partive të cilat tash janë në pushtet.

“Megjithatë ne jemi dëshmitarë okularë dhe i të vërtetës, në regjimin e asaj kohe kush ka qenë lojal ose kush e ka sjellë një vendim të punoj për Serbinë, e ka nënshkruar dhe ka mundur me punuar, kurse personat të cilët ideali si ka lejuar, ideali kombëtar ka qenë kauzë kombëtare për me mbrojtur këtë vend, ata (punëtorë) i kanë thënë jo. Kështu që e ka humbur vendin e punës, ka rrezikuar familjen, ka dal dhe është bërë hamall, duke punuar në pazar për me mbajtur familjen e vet. Tani sot, p.sh. ata të cilët ishin lojal sot i gëzojnë të gjitha të drejtat, gëzojnë pensionin e plotë. Në atë kohë paga kanë marr, kurse ata të cilët i kanë thënë jo, që kanë menduar për këtë shtet, sot i marrin 75 euro, një ndihmë sociale dhe pensionin e plotë nuk e marrin”, thotë Ajdini.

Kreu i BSPK-së ka thënë se kanë kërkuar nga Qeveria që të zvogëlohet pragu i skemës pensionale, që të paktën të bëhet në 10 vite nga 15 vite. Ajdini edhe pse nuk e di numrin e saktë të kësaj kategoria që nuk e gazojnë të drejtën, thotë se janë mjaft, dhe më e prekur është gjenerata e vitit të 1950.

“Ka mjaft, duke marrë gjeneratën prej vitit 1950 deri kur jemi larguar nga puna. Kjo gjeneratë dhe kuadër të fort nuk munden t’i marrin pensionet për arsye të skemës pensionale, e cila është 15 vite. Ne si BSPK, kemi kërkuar dhe kemi biseduar me kryeministrin, po ashtu kemi edhe me shkrim, që me datën 02.10.2017, ju kemi drejtua Qeverisë që të njihet skema pensionale, të zvogëlohet, të bëhet në 10 vite nga 15 vite. Mirëpo, ende nuk ka. Konsiderojë, se skema pensionale nëse bëhet 10 vite konsiderojë se nuk ngarkohet buxheti i shtetit. Ka mundësi kjo të bëhet”, theksoi Ajdini.

Një përgjigje të shkurt në mënyrë elektronike nga Departamenti i Pensioneve në Ministri të Punës dhe Mirëqenies Sociale, i kanë thënë KosovaPress se MPMS është duke punuar në reformë pensionale dhe është e preokupuar që të gjen formën e pranimit për vitet e punës për periudhën ‘90-‘98 për të gjithë të përjashtuarit nga pune. Që sipas tyre, kësisoj ajo do të jetë bazë për plotësimin e kritereve për pensionin kontributpagues.

“MPMS ka iniciuar reformë pensionale dhe aktualisht është në fazën e hartimit të Koncept Dokumentit për Reformën Pensionale, i cili i paraprinë Ligjit për Pensione dhe Beneficione. Në këtë ligj, ndër tjerash planifikojmë të trajtojmë edhe çështjen sa i përket viteve të stazhit të punës”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Edhe 10 vite pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kosova vazhdon të mos ketë ditën e çlirimit dhe heqja e kushtetutës me dhunë në mars të vitit 1989 dhe futja e Kosovës nën masa të dhunshme, vazhdon të mos konsiderohet si ditë pushtimi.