Ligjit 0" />

Shteti synon ta shuaj edhe Lotarinë e Kosovës

Shteti synon ta shuaj edhe Lotarinë e Kosovës

Lotaria e Kosovës, mund ta hedh gjiron e fundit nëse shteti përshpejton procedurat për shfuqizimin e Ligjit 04/L-080 për lojërat e fatit.

Fondi për shtatë të qëlluara për këtë gjiro është 80 mijë euro. Ky fond ka gjasa që mos t’i jepet asnjë lojtari, nëse shfuqizohet ligji.

Iniciativa për shuarjen e lojërave të fatit, përfshirë edhe shuarjen e Lotarisë së Kosovës, lotari kjo publike e menaxhuar nga shteti.

Shfuqizimi i ligjit është iniciuar të premten nga Kuvendi i Kosovës me anë të një rezolute dhe është mbështetur me veprime konkrete nga kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ai ka prezantuar një ligj me dy nene me të cilin shfuqizon ligjin për lojëra të fatit.

Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, do të shfuqizohet ligji ekzistues për lojërat e fatit.

“Për Mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, Zyra e Kryeministrit ka përgatitur ligjin, i cili do të shfuqizojë ligjin ekzistues dhe do të ndalojë lojërat e fatit”, ka shkruar Haradinaj.

Rezoluta që u miratua të premten në Kuvend ishte iniciuar nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Ai ka qenë ministër i Financave dhe ka pasur kompetencë për rregullimin e këtij sektori. Kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit ka ardhur pas dy rasteve të vrasjeve brenda objekteve të lojërave të fatit, në Suharekë dhe në Lipjan.

Në këtë formë të procedimit të ligjit, shuhet edhe Lotaria e Kosovës, si institucion me traditë 20 vjeçe në Kosovë. Kësisoj, Kosova do të mbetet edhe pa lotari, të cilën e kanë të gjitha shtetet demokratike.

Pjesa më e madhe e Ligjit për lojëra të fatit i takon Lotarisë së Kosovës. Një kapitull i terë rregullon funksionimin e saj./Insajderi.com