Shtohen shoferët e dehur – “Gjinia femërore më së shumti raste të përdorimit të alkoolit”

Shtohen shoferët e dehur – “Gjinia femërore më së shumti raste të përdorimit të alkoolit”

Të premten policia rrugore në Shqipëri arrestoi disa drejtues mjetesh në nivele të frikshme të përdorimit të pijeve alkoolike që shkonin deri në 2,30 mg/l.

Por kohët e fundit, policia rrugore thotë se vërehet një trend në rritje edhe i shofereve femra problematike, sa i takon zbatimit të rregullave të qarkullimit.

“Si rezultat i kontrolleve konstatohet një numër në rritje i drejtuesve të mjeteve në shpejtësi tej normave apo në përdorim alkooli por edhe i drejtuesve femra për të tilla shkelje që janë konstatuar nga shërbimet e policisë rrugore Tiranë”, thotë Erjon Ahmeti, shef i qarkullimit rrugor Tiranë, shkruan Top Channel.

Sipas policisë me ngrohjen e kohës rritet edhe përdorimi i alkoolit veçanërisht gjatë fundjavës, ndaj kontrollet do jenë të vazhdueshme.

“Ne do jemi çdo ditë në terren, jo vetëm për menaxhimin e trafikut por edhe për konstatimin e këtyre shkeljeve, jo vetëm gjatë fundjavave për të parandaluar ngjarjet rrugore”, thotë ai.

Rrugorët apelojnë që në rast të përdorimit të alkoolit, qytetarët të përdorin alternative të tjera si transporti publik ose shërbimi taksi.