Shtrenjtimi i sigurimeve – BQK mohon të ketë shkelje ligjore

Shtrenjtimi i sigurimeve – BQK mohon të ketë shkelje ligjore

Pas 21 ditësh që kur ka marrë vendimin për shtrenjtimin e sigurimeve, Banka Qendrore e Kosovës, në një konferencë për media ka arsyetuar këtë vendim për tarifat e vendosura nga kompanitë e sigurimeve, ku bëri të ditur se rritja e çmimit është 26.6 për qind.

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti tha se BQK si rregullator, me qëllim që të mbrohen polica-mbajtësit, ka marrë këtë vendim.

“Edhe pse është kërkesë ligjore, për çdo vit të rishikohen tarifat, rishikimi i tarifave nuk është bërë qe 18 vjet, këtë vit janë ndryshuar. Po ashtu, ky vendim është marr për të siguruar edhe qëndrueshmëri të polica-mbajtësve. Faktori tjetër është rritur vlera e dëmeve”, tha Mehmeti.

Ai tha se viti 2002 deri 2018 inflacioni është rreth 31 për qind, ndërsa rritja e çmimit të sigurimeve është për 26 për qind.

Mehmeti për hetimet e mundshme nga prokuroria lidhur me tarifat, theksoi se janë të hapur për çështje të mundshme në këtë drejtim.

Zëvendës guvernatori Sokol Havolli tha se vendimi për rritje 26. 6 për qind nuk paraqet shkelje ligjore dhe gjithashtu nuk është në kundërshtim me Autoritetin e Konkurrencës.

Ndryshe, shtrenjtimi i sigurimeve për automjete ka nxitur edhe reagimin e qytetarëve, të cilët janë shprehur të pakënaqur me këtë vendim të BQK-së duke kërkuar njëherësh anulimin e tij.