Shtyhet mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë, deputetët solidarizohen me Rexhep Selimin

Shtyhet mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë, deputetët solidarizohen me Rexhep Selimin

Mbledhja e sotme e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, është shtyrë për një ditë tjetër meqë në shenjë solidarizimi për deputetin, Rexhep Selimi, njofton Insajderi.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, njëherësh edhe anëtare e këtij komisioni, ka propozuar një gjë të tillë, e që ka gjetur mbështetjen edhe të anëtarëve të tjerë të komisionit.

“Çlirimtarët nuk kanë parti kanë atdhe mbi të gjitha. Sot është nevoja më shumë se kurrë ti ulim shpatat partiake. Propozoj që kjo mbledhje të shtyhet për një ditë tjerët në nder të Rexhep Selimit i cili sot nuk është këtu”, tha ajo.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku, tha se e përkrahë kërkesën e deputetes Musliu.

“Përballen në një gjykatë të padrejtë në Hagë. Lufta ka qenë e drejtë dhe kjo do të dëshmohet atje”, tha ajo.

Në rend të ditës komisioni ka pasur Shqyrtimin e raportit të Ministrisë së Mbrojtjes, rreth zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019; dhe Të gjeturat e raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë. /Insajderi.com