Shtyhet mbledhja e KQZ-së: Në orën 17:30 votohet për certifikimin ose jo të kandidatëve

Shtyhet mbledhja e KQZ-së: Në orën 17:30 votohet për certifikimin ose jo të kandidatëve

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me vendimin për certifikimin e kandidatëve që kanë vepra penale, e cila ka filluar nga ora 14:00, është shtyer për në orën 17:30, njofton Insajderi.

Ndërprerja ka ardhur pas rekomandimit të zyrës për Certifikimin e Kandidatëve dhe Partive Politike.

Mbledhja është shtyrë për dy orë, derisa të kompletohen të gjitha dokumentet dhe rekomandimet e nevojshme dhe të njëjtat më pas t’i dërgohen anëtarëve të KQZ-së, të cilët edhe e kanë kërkuar këtë.

Kundër këtij propozimi kanë dalë anëtarët e KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar që të votohet menjëherë.

KQZ ka marrë rekomandim lidhur me vendimin për 47 kandidatët për deputetë të cilët janë të dënuar brenda tri vjetve të fundit, gjë që u bë e ditur në këtë mbledhje nga kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka.

Ajo tha se ndonëse ende i paqartë, dokumenti i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike ka rekomanduar që të certifikohen të gjithë kandidatët për deputetë.

“Fatkeqësisht nuk e kemi të qartë nga rekomanidimi që na ka ardhë se kush i përmbushë kërkesat dhe kush jo. Rekomandimi na thotë që praktikisht që të certifikohen të gjithë kandidatët. Pra, subjektet politike që i kanë zëvendësuar kandidatët e tyre me të drejt mund të ndryshojnë me ata që kanë qenë fillimisht”, ka thënë Daka. /Insajderi.com