Shtyhet për herë të dytë afati i konkursit të jashtëligjshëm për Drejtor të ATK-së

Shtyhet për herë të dytë afati i konkursit të jashtëligjshëm për Drejtor të ATK-së

Për herë të dytë shtyhet konkursi i jashtëligjshëm për Drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës.

Ministria e Financave, e cila ka hapur jashtëligjshëm konkursin për Drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, pasi nuk ka respektuar kërkesat e udhëzimit administrativ i cili kërkon që fillimisht të kryhet mandati i drejtorit aktual për të nisur me procedurat rekrutuese, e ka shtyrë edhe për disa ditë konkursin.

Ndonëse drejtori aktual ka mandat deri në janar të vitit 2019, ministria e ka hapur konkursin në muajin tetor. Ai do të duhej që të përfundonte me 10 nëntor por u shty deri me datën 16 nëntor me arsyetimin se nuk kishin kandiduar gra dhe pjesëtarë të komuniteteve.

Bazuar në këtë vendim konkursi do të duhej të përfundoj të premten e kaluar, por Ministria e Financave  për herë të dytë e shtyu atë edhe për disa ditë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini,  tha për Insajderin se konkursi mbetet i hapur deri më datën 23 nëntor.

Sipas tij shtyrja e afatit ka ndodhur me qëllim të inkurajimit të më shumë kandidatëve për aplikim.

“Ministria e Financave, mbështetur në Ligjet në fuqi dhe me qëllim të inkurajimit të më shumë kandidatëve për aplikim dhe me qëllim të krijimit të mundësive të përfaqësimit gjinor e multietnik, si dhe bazuar në praktikat më të mira, për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës ka marrë vendim që afati i konkurrimit të vazhdohet nga data 17 nëntor 2018 deri më datën 23 nëntor 2018 deri në orën 16.00.”, ka thënë Shahini për Insajderin.

Gazeta Insajderi ditë më parë ka raportuar se me hapjen e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, ende pa përfunduar mandati i drejtorit aktual, Sakip Imeri, Ministria e Financave ka bërë shkelje.

Legjislacioni në fuqi nuk e lejon të shpallet konkursi për drejtor të ATK-së pa qenë e zbrazët kjo pozitë.

Derisa drejtori aktual zyrtarisht ka mandate deri në janar 2019. Shpallja e konkursit mund të bëhet vetëm nëse drejtori jep dorëheqje ose i kërkohet të jap dorëheqje.

Kujtojmë që konkursit për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës ia kanë mësyer ish-ministra e ish-kandidatë për kryetarë të komunash.

Në mesin e tyre është edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija.

Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar vetë Haraqija, duke shtuar se i plotëson të gjitha kushtet për këtë pozitë.

“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef,tri e gjysëm ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë, i dënuar s’jam”, tha Haraqija për Insajderin.

Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës në periudhën 2014-2017.

Më datën 15 dhjetor të vitit 2016 Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shqiptuar dënim me kusht Astrit Haraqisë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Por në muajin qershor të vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte marrë aktgjykimin lirues ndaj Haraqisë dhe Valton Beqirit, dy ish-ministrave të Kulturës.

Ata dyshoheshin për financimin e një filmi, që Prokuroria pretendonte se nuk është realizuar asnjëherë.
Për pozitën e të parit të ATK-së u raportua se është edhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Përveç Astrit Haraqisë e Shaqir Totajt në garë janë edhe:Ruzhdi Zeqiri, Murat Mehmeti, Isen Lipovica, Hamit Mulaj, Ilir Murtezaj, Hamdi Hoxha, Ismet Alia, Besim Ahmeti./Insajderi.com