Seanca për shqyrtimin e ankesës për rritjen e dënimit të vrasësit të Kujtim Veselit është shtyrë pasi mbrojtja e të akuzuarit ka munguar në seancën e së mërkurës.
Kështu ka bërë të ditur avokatja e familjes së dëmtuar, Rina Kika, e cila njoftoi se kanë bërë ankesë që dënimi të zgjatet në 35 vjet, nga 25 sa ka marrë vendim gjykata.
“Ne kemi parashtruar ankesë që ky dënim të rritet deri në 35 vjet, meqë Kodi penal e mundëson një gjë të tillë. Sot ka pasur të mbahet seanca, mirëpo është shtyrë për datën 11 mars 2021 në ora 10:15 meqë mbrojtësi i të akuzuarit nuk ka qenë i pranishëm. Vrasja dhe dhunimi seksual i Kujtimit nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të ndodhte neglizhenca e skajshme e zyrtarëve policorë”, tha ajo.
Kika ka shtuar se kërkim falja, hetim i pavarur i prokurorëve dhe kompensimi i dëmit janë tri kërkesat që kanë familja dhe mbrojtja e tyre.
Kujtim Veseli, 11-vjeçari nga komuniteti rom, ishte gjetur i vdekur më 11 korrik të vitit të kaluar poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në Fushë- Kosovë. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 prill të këtij viti kishte ngritur aktakuzë ndaj S.O, për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “dhunim”. Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e kishte dhunuar e pastaj vrarë të miturin.
S.O e kishte pranuar në gjykatë vetëm veprën e dhunimit, por jo edhe të vrasjes. Më 11 tetor të vitit 2020, ai ishte dënuar më 25 vjet burgim./Insajderi.com