Ceremonia e shugurimit të Katedrales “Nëna Terezë” në Prishtinë ishte një nga ngjarjet kryesore në vend për shkak se mblodhi në kryeqytet mysafirë nga vende të ndryshme ku edhe u “zyrtarizua” katedralja.
Por qysh prej ndërtimit të saj e deri tek të ftuarit në ceremoninë e shugurimit kanë ndodhur disa veprime të dyshimta.
Katedralja në Prishtinë mbetet njëri nga projektet më të rëndësishme të Ipeshkvisë në Kosovë. Fillimisht për shkak të rëndësisë dhe kostos së saj e më pas edhe për shkak të faktit se kush e ka ndërtuar atë.
Gazeta Express kishte raportuar në mars të vitit 2016 se punët ndërtimore në Katedrale i kanë kryer familja e ngushtë e Ipeshkvit Gjergji, kompania “Torre”
Kësisoj praktikës së nepotizmit në tenderë publik nuk i rezistuar as udhëheqësit e Kishës Katolike në Prishtinë që kanë shpërblyer familjen e tyre të ngushtë me punë ndërtimore.
Familja e ngushtë e Ipeshkvit Dodë Gjergji është marrë me kryerjen e punëve në Katedrale, që kushtojnë qindra mijëra euro.
Pronari i kompanisë “Torre”, Gazmend Gjergji, nuk e kishte mohuar që është djali i vëllait të Ipeshkvit Dodë Gjergji, por as nuk kishte sqaruar rrethanat e përfitimit të privilegjit për të punuar si punëkryes në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Ai kishte thënë se do të sqarohet më vonë, por nuk e kishte bërë kurrë.
Edhe drejtuesit e Ipeshkvisë së Kosovës, nuk e kishin mohuar që punëkryesit në Katedralen në Prishtinë janë të afërm të Ipeshkvit Dodë Gjergji, por edhe ata sikurse pronari i kompanisë “Torre” kanë kërkuar kohë.
“Jemi në kohën e përgatitjeve për festën e Pashkëve dhe nuk do të jetë e mundur të përgjigjemi”, ishte përgjigjur Ipeshkvia.
Kompania “Torre” kishte publikuar në faqen e tyre në Facebook që Katedralja në Prishtinë është kryevepra e punëve të kësaj kompanie dhe kanë publikuar fotografi nga procesi i kryerjes së këtyre punimeve, para dy viteve.
Në faqen e tyrë në Facebook ata e kanë vendosur si punën e tyre kryesore, raporton Insajderi.
KRYEVEPER E PUNUAR NGA TORRE FERIZAJ KOSOVË ( www.torre-ks.com )
Posted by torre-ks.com on Saturday, 23 May 2015
E kur ndërtimi i saj mbaroi dhe erdhi ceremonia e shugurimit, aty nuk u ftuan njerëz edhe aq të ndershëm.
Aty ishte i ftuar edhe Ukë Rugova, që akuzohet për skandalin e publikuar nga Insajderi “Dosja Grande” .
Ndonëse trashëgimtar i Ibrahim Rugovës, gjatë jetës së tij Uka kishte lëvizur në drejtim të kundërt me babanë. Nuk është shquar asnjëherë si politikan model, por vetëm si politikan mashtrues.
Profili i Ukë Rugovës: Njeriu që asocion me krimet, mashtrimet, mafiozët e sekserët
Derisa babai i tij nuk shquhej për udhëheqje të grupeve kriminale dhe bizneseve të dyshimta, Ukën nuk e ka penguar ky fakt. Ai ka arritur që të fitojë një imazh të një njeriu të akuzuar për krim të organizuar, të rrethuar me sekserë e mafiozë të ndryshëm.
Ukë Rugova akuzohet se ka udhëhequr një grup kriminal që ka përfituar nga biznesi i paligjshëm i shitjes së vizave italiane.
Insajderi në serinë e hulumtimeve të emërtuara “Dosja Grande”, ka publikuar tërë dyshimet e akuzat që rëndojnë mbi djalin e ish-presidentit Rugova.
Rugova ka pranuar se është marrë me vizat italiane. E ka përshkruar veten si humanist.
“Kam ndihmuar njerëzit që kanë pasur në nevojë të dalin jashtë vendit”, pati thënë Rugova.
Përpos përfitimeve nga biznesi i paligjshëm i vizave, Ukë Rugova shihet si shumë i rrezikshëm nga autoritetet shtetërore italiane. Vlerësimet e autoriteteve italiane që janë bërë për Rugovën e paraqesin atë si figurë ndërkombëtare e krimit të organizuar, që përfshinë trafikun e armëve, drogës dhe kontrabandimit të mallrave.
Po ashtu, Insajderi ka zbuluar se një kompani private, ku është aksionar Ukë Rugova, ka vepruar përgjatë viteve në kundërshtim me postin që ka mbajtur ai: atë të deputetit të parlamentit të Kosovës. Biznesi i tij – restorant dhe autolarje, i kishte borxh Administratës Tatimore të Kosovës./Insajderi.com