Shukri Buja ‘detyrohet’ të japë dorëheqje nga PDK-ja në Lipjan

Shukri Buja ‘detyrohet’ të japë dorëheqje nga PDK-ja në Lipjan

Kryetari i Degës se Partisë Demokratike të Kosovës në Lipjan, Shukri Buja, ka dhënë dorëheqje nga ky pozicion.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, është tërhequr edhe nga kandidatura për kryetar të Lipjanit.

Dega e PDK-së në Lipjan e kishte mbështetur në mënyre unanime kandidaturën e Bujës për kryetar të Lipjanit.

Buja në një letër dërguar kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ka dhënë një sërë arsyesh për vendimin e tij.

Ndër tjera, Buja ka shprehur pakënaqësinë e tij drejtuar Kadri Veselit për mos interesimin e tij rreth nominimit të tij nga Dega e PDK-së në Lipjan si kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017.

Në këtë letër, të cilën e ka siguruar indeks0nline, Buja shfaq edhe injorimin që Veseli ia bën Bujës, duke mos e thirrur as në telefon për ta pyetur për zhvillimet e fundit në këtë degë.

Madje, Buja ia ka bërë me dije shefit të partisë së tij se, lidhja e koalicionit me AAK-në i ka shkaktuar shumë humbje PDK-së. Sipas Bujës, nominimi i Ramush Haradinajt për kryeministër, ka bërë që një pjesë e madhe e anëtarësisë të mos aktivizohet për të siguruar vota për PDK-në.