Shumë hetime e pak dënime ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion

Shumë hetime e pak dënime ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion

Agjencia Kundër Korrupsion vazhdon të dërgojë kallëzime penale për korrupsion në prokuroritë e Kosovës, por që sipas zyrtarëve të agjencisë këto kallëzime penale nuk po trajtohen me prioritet, njofton Insajderi.

Drejtori i kësaj agjencie, Shaip Havolli, ka deklaruar se rastet e dyshuara për korrupsion të nivelit të lartë duhet të merren me seriozisht.

“Me vet faktin që në vitin 2020, kemi pasur të bëjmë me pandemi, rastet kanë shkuar ngadalë, por edhe kështu nga praktika, rastet e profilit të lartë po shkojnë ngadalë”, tha Havolli për REL.

Havolli, thotë se në kallëzimet e dërguara në prokurori, bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të institucioneve të ndryshme.

“Ka [raste] ministra, zëvendësministra, drejtorë, dekanë, pro-dekanë, drejtorë të bordeve, sekretarë permanentë, sekretarë të ambasadave dhe të natyrave të tjera, për të cilët është ushtruar kallëzim penal nga ana e agjencisë”, tha Havolli.

Nga ana tjetër Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se vetëm në vitin e kaluar janë shënjestruar tetë raste dhe janë ngritur 10 aktakuza.

“Janë ngritur 10 aktakuza për shkak të rasteve të shënjestruara vitin paraprak. Deri tash i kemi shënjestruar diku rreth 60 raste prej tyre 35 kanë të bëjnë me korrupsion 25 me krimin e organizuar, kurse disa të tjera i kemi në pezullim”, tha Isufaj, duke shtuar se rezultate konkrete nga ngritja e këtyre aktakuzave duhet të priten më vonë, pasi që duhet respektuar proceduarat dhe të kompletohet dokumentacioni. /Insajderi.com