Zyrtarët me pasuri milionëshe në Kosovën e varfër

Zyrtarët me pasuri milionëshe në Kosovën e varfër

Kosova konsiderohet vendi më i varfër në Evropë dhe me shkallë të lartë të papunësisë. Por, pavarësisht këtyre fakteve, Kosova ka edhe elitën e vet politike, që në të shumtën e rasteve përbëhet jo vetëm nga biznesmenë, por nga zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale, që figurojnë si milionerë me pasuritë e tyre.

Kështu të paktën thonë përfaqësues të subjekteve ekonomike, organizatave joqeveritare dhe disa qytetarë, sipas të cilëve, pasurimi i zyrtarëve shtetërorë është bërë duke zbrazur xhepat e varfër të qytetarëve të vendit.

Një situatë e tillë, sipas tyre, dëshmon për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar që ka vënë lidhje mes politikës dhe bizneseve të dyshimta.

Në Kosovë ekziston Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, në të cilën zyrtarët e lartë e kanë obligim të deklarojnë pasurinë e tyre.

Por, përveç deklarimit të pagës në mënyrë reale, pasuria e patundshme dhe ajo e luajtshme, besohet se paraqitet sipas dëshirës së tyre, ngase askush nuk e verifikon atë.

Kosova është shndërruar në një shtet të varfër të njerëzve të pasur. Kjo për faktin se në Kosovë mund të identifikohen dukuri të shumta negative, si korrupsioni, nepotizmi, burokracia dhe tenderomania, thotë Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

Këto dukuri, sipas tij, kanë ndikuar në pasurimin e paligjshëm që vjen si pasojë e mungesës së rendit dhe sundimit të ligjit.

“Sot në Kosovë është krijuar një shtresë, e cila vërtet nuk e di fundin e pasurisë. Por, në qoftë se bëhet një analizë më e thukët e asaj se çfarë të hyrash mujore kanë dhe sa është volumi i pasurisë së tyre, është një diskrepancë, por në të njëjtën kohë është një provokim për sistemin e drejtësisë në Kosovë, që më këto raste të merret në mënyrë serioze”, thotë Gërxhaliu për Radio Evropa e Lirw, transmeton Insajderi.

Në anën tjetër, Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, tregon se bazë të një hulumtimi të kësaj organizate, rezulton se mbi 50 zyrtarë të lartë të Kosovës kanë tejkaluar vlerën milionëshe vetëm për pasuri të patundshme.

“Prapë se prapë edhe me të gjitha këto të ardhura që marrin zyrtarët, duke i llogaritur pagat, mëditjet dhe të gjitha shtesat tjera, është shumë problem të justifikohet pasuria me pagat që marrin”.

“Nëse një zyrtar ka një të hyrë vjetore nga 30 -35 mijë euro, është shumë problem se si arrin të bëjë pasuri deri në një milion euro. Konsideroj se është një mospërputhje e madhe sa i përket pasurisë që kanë dhe pagave që marrin nga buxheti i Kosovës. Pra, është e pajustifikueshme pasuria që kanë, duke krahasuar me të hyrat që i realizojnë’’, thotë Demhasaj.

Por, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit nuk ka numëruar sa zyrtarë kanë pasuri milionëshe. Hasan Preteni, drejtor në këtë agjenci, në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, thotë se nuk është problem të jesh milioner.

“Problemi është nëse je bërë milioner duke e keqpërdorur pozicionin zyrtar apo duke mos respektuar ligjin”, thekson Preteni

Pavarësisht faktit se në mënyrë zyrtare është vështirë të identifikohet pasuria e tyre, në shoqëri vazhdimisht flitet për mënyrën e fituar të milionave të disa zyrtarëve. /Insajderi.com