
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është deklaruar shkurtimisht pas mbledhjes së mbajtur sot, ku temë kryesore diskutimi ishin zgjedhjet lokale dhe propozimi i kandidatëve për kryetarë të komunave, njofton Insajderi.
Ai para mediave tha se shumica e kryetarëve aktualë veçse janë rikandiduar për të garuar sërish.
“U dha vlerësimi për disa komuna për avancimin e tyre. Ishte një numër i të nominuarve që e morën edhe përkrahjen e Kryesisë dhe për këtë do të lëshohet një deklaratë e plotë”.
Zemaj ka thënë se edhe organizimi nëpër degë dhe avancimi i LDK-së për zgjedhjet lokale të vjeshtës ishin temë diskutimi.
“Ka besim të plotë se LDK do të jetë shumë e fuqishme në zgjedhjet lokale”.
Pas kësaj mbledhje, rikandidimin e tij për kryetar të Pejës e ka konfirmuar vetë Gazmend Muhaxheri.
Muhaxheri, i cili njëherësh është edhe nënkryetar i LDK-së, tha se shpreson në fitore. /Insajderi.com