Shumica e serbëve dëshirojnë luftë me shqiptarët

Shumica e serbëve dëshirojnë luftë me shqiptarët

Më tepër se gjysma e qytetarëve serb, më saktësisht 52 për qind, konsideron se në rast të “hyrjes me dhunë të shqiptarëve në veri të Kosovës” Serbia duhet ta përdorë ushtrinë në mënyrë që ta mbrojë veriun, ka treguar hulumtimi më i agjencisë serbe “Faktor Plus”.

Kur është fjala për qëndrimet e qytetarëve serb ndaj zgjidhjes së statusit të Kosovës, shumica e tyre, gjegjësisht 63 për qind konsiderojnë se konflikti i ngrirë për momentin është zgjidhja më e mirë, derisa 21 për qind të serbëve  pretendojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte marrëveshja me të cilën edhe serbet edhe shqiptarët do të fitojnë diçka, gjegjësisht do të humbin diçka, transmeton Insajderi.com.

“Shumica bindëse e qytetarëve serb konsideron se mbajtja e “status quos” do të ishte më e mirë nga zgjidhjet të cilat po përmenden. Ky nuk është dështim i fushatës së kryetarit serb Aleksandar Vuçiq i cili insiston në tejkalimin e konfliktit të ngrirë por se qëndrimi i qytetarëve është që nuk ka zgjidhje e cila në këtë moment do ta kishte kënaqur Serbinë, thotë Vlladimir Pejiq, drejtor i kësaj agjencie.

Duke komentuar qëndrimin e 52 për qind të anketuarve se në rast të hyrjes së shqiptarëve në veri të Kosovës, përgjigjja më e mirë e Serbisë do të ishte intervenimi ushtarak, Pejiq thotë se kjo tregon se qytetarët nuk shohin zgjidhje diplomatike si skenar i suksesshëm e as që shohin zgjidhje tjetër përveç asaj ushtarake, që të “mbrohet veriu i Kosovës nga Prishtina”.

Hulumtimi ka treguar se 50 për qind të anketuarve nuk janë të gatshëm në flijime personale në asnjë bazë, në mënyrë që Kosova të mbetet në kuadër të Serbisë, derisa 18 për qind kanë pretenduar se janë të gatshëm në një masë të madhe që edhe jeta e tyre personale të vuaj për këtë qëllim.

Anketa telefonike është kryer prej 1 deri 7 qershor në territorin e Serbisë me mostrën prej 1.200 të anketuarve./Insajderi.com.