Shyhrete Berisha, gruaja nga Suhareka e cila tek të enjten pas 18 viteve fitoi të drejtën e pronësisë për gjysmën e shtëpisë së bashkëshortit të saj të cilin bashkë me 4 fëmijët e tyre u masakruan, e kishte nisur këtë betejë menjeherë pas kësaj tragjedie.
Sipas një dokumentari të Agim Sopit, “Përtej Vdekjes” i realizuar në vitin 2000, Shyhrete Berisha fillimisht kishte pasur probleme me dikë tjetër, jo vëllanë e bashkëshortit të saj.
Bëhet fjalë për misionin e OSBE-së në Kosovë.
Në këtë dokumentar, Berisha shihet teksa diskuton me një zyrtar të OSBE-së.
Në këtë diskutim, Berishës i kumtohet se ajo vetëm mund ta vizitojë shtëpinë.
Ja biseda e Berishës me zyrtarin e OSBE-së.
Shyhrete Berisha: Unë dua me hy në shtëpinë time.
Zyrtari i OSBE-së: Nuk ju njoh juve fare, nuk kam informata se ju takon juve kjo shtëpi.
Shyhrete Berisha: OSBE-ja në fillim kur ka ardhë, unë ju kam shërbye me kafe, me të gjitha, ju kemi prit shumë mirë dhe kemi bo kontratën bashkë. E tash qysh u bo ajo, që kjo nuk është shtëpia ime?
Zyrtari i OSBE-së: Më vjen keq por unë nuk kam mundësi të ju jap kurrfarë informata për këtë gjë, sepse unë nuk kam qenë aty kur është bërë kjo kontratë.
Shyhrete Berisha: Unë kam ardhë më ju tregu se shtëpia është e imja. E imja është kjo shtëpi.
Zyrtari i OSBE-së: Unë këtë gjë vetëm se e kam sqaruar. Unë jam i gatshëm nëse doni të vizitoni shtëpinë.
Vet regjisori i dokumentarit që ka xhiruar Berishën fill pas luftës, tregon për betejën e saj fillestare.
“Ishte viti 2000. Menjëherë pas luftës. Në dokumentar ka edhe rekuizita të fëmijëve të ekzekutuar në kariqin famëkeq. Edhe gjësende personale dhe rroba të fëmijëve në shtëpinë e Shyhrete Berishës, asokohe të uzurpuar nga ana e OSCE-së”, ka thënë Sopi për Insajderin.
Në dokumentar shihet sesi Shyhrete Berisha pas shumë diskutimeve me zyrtarin e OSBE-së, lejohet të futet në shtëpi.
Ja biseda tjetër e saj me zyrtarin e OSBE-së.
Shyhrete Berisha: Për atë kam ardhë, që me i marrë kujtimet e familjes teme, për atë kam ardhë. Në shtëpinë teme kam ardhë. Gjithë këta punëtorë këtu që punojnë, gjithë njerëzit përreth pyeti se shtëpia është e imja. E nëse doni merreni edhe një fëmijë 5 vjeçar, merreni dhe pyeteni kush ka jetu në këtë shtëpi, edhe kish dit me ju tregu, që këtu ka jetu Nexhati, Majlinda, Herolinda, Altini, Redoni dhe nëna e tyre Shyretja. Ju tash doni me më qitë në rrugë, me më thanë që nuk është shtëpia juaj.
Zyrtari i OSBE-së: Unë sa jam i informuar, ju vetëm jeni interesuar rreth çështjes së pronësisë, atje ju kanë thënë se përfundimisht.
Shyhrete Berisha: Nuk kam biseduar me askënd, vetë kam shkuar jam lajmërua, se e kam këtë problem dhe ata më kanë thanë se nuk i intereson problemi im.
Shyhrete Berisha: Askush nuk më ka thirre, me kërkon nuk kam biseduar. Unë për atë jam kthye, nuk mundem ma me ndejt rrugëve. A nëse ju thoni, atëherë unë do ta marrë një shator, do ta qes atje në qosh, në oborrin tim dhe aty do të rri, ta shoh shpinë e fëmijëve të mi. Tjetër rrugëdalje nuk kam. Nuk muj kërkund tjetër me ndejt, përveç në shpi teme.
Zyrtari i OSBE-së: Për këtë gjë ju duhet të zgjidhni me familjen tuaj.
Shyhrete Berisha: Familjen time ma ka mbytë Millosheviçi. Vetëm kjo shtëpi më ka mbetë. Nuk e kam tjetër kënd prej familjes. Skam.
Rrëfimi i plotë i Shyhrete Berishës do të publikohet shumë shpejt në Insajderi.