Si arsyetohet Ministria e Shëndetësisë për mos-kontroll mbi bizneset e magjisë?

Si arsyetohet Ministria e Shëndetësisë për mos-kontroll mbi bizneset e magjisë?

InDoks e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për veprimtarinë e imamëve që merren me biznesin e magjisë e për mjekët popullor, dhe ata nuk i kanë fare nën kontroll.

Në këtë institucion  kanë thënë se këto biznese të cilat pretendojnë se ofrojnë shërbime të mjekësisë alternative apo tradicionale nuk janë të licencuara nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, sepse, sipas tyre bazuar në legjislacionin në fuqi, ky dikaster qeveritar licencon vetëm institucione të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore të ofruara nga profesionistë të licencuar si profesionistë shëndetësor, si mjek, stomatologë, farmacistë, fizioterapeutë e të tjerë.

“Subjektet të cilat nuk kanë të angazhuar profesionistë shëndetësorë dhe nuk ofrojnë shërbime shëndetësore nuk inspektohen nga Inspektorati Shëndetësor, ndërsa, nëse janë të regjistruar si biznese atëherë duhet të mbikëqyren nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë”, arsyetohet Ministra e Shëndetësisë në pyetjen se pse nuk i inspekton ata.

Megjithatë, sipas tyre, ka pasur raste kur institucione të tilla janë inspektuar nga Inspektorati Shëndetësor me kërkesë të Policisë së Kosovës si subjekti “Burdushi” në Prizren, i cili, e kishte certifikatën e regjistrimit ku, sipas inspektorëve shëndetësor është vërejtur se ishte i regjistruar si biznes individual.

Në këtë dikaster thonë se janë në proces të ndryshimit të Ligjit të Shëndetësisë dhe një kapitull i ligjit të ri duhet ta trajtojë edhe aspektin e aplikimit të mjekësisë tradicionale dhe komplementare në funksion të trajtimit të sëmundjeve dhe problemeve të ndryshme në mjekësi si diabeti, obesiteti, sëmundjet kardiovaskulare, alergjitë, kanceri, dhimbja kronike, varshmërinë, etj., sikur i trajtojnë shumë shtete që e kanë në legjislacion këtë çështje dhe që e zbatojnë Strategjinë në fuqi të OBSh-së për Mjekësinë tradicionale.

InDoks në këtë emision do të trajtojë këtë fenomen. Flasin njerëz që ishin të përfshirë në këtë fenomen. Ata që janë komplet kundër si dhe psikologë e psikoterapeutë që ofrojnë shërbime të ligjshme për problemet mendore. Ata pajtohen se mjekët popullorë e imamët e hajmalive që merren me këtë biznes shumë profitabil janë mashtrues.