Shtetit të Kosovës do t’i duhet të ndajë shuma të mëdha parash për të mbrojtur të akuzuarit e Speciales. Përveç kësaj, me Udhëzimin e ri Administrativ obligohet të paguajë edhe të gjitha shpenzimet për vizitat e familjarëve të atyre që do të jenë të akuzuarit e Tribunalit. Dhjetëra të akuzuar, qindra vizita, miliona euro.
Vizitat e familjarëve dhe honorarët e avokatëve të akredituar të personave të akuzuar potencialë për krimet e pretenduara në luftën e fundit në Kosovë, në procesin gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara, do t’i kushtojnë qindra-mijëra euro shtetit të Kosovës.
Derisa ende nuk dihet numri i saktë i të akuzuarve nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, aty është paraparë që të shkojnë deri në 12 anëtarë të ngushtë të familjes për t’i vizituar të gjithë ata që do të ballafaqohen me akuza nga Specialja.
Të kontaktuar nga Gazeta Online Insajderi, nga Ministria e Drejtësisë kanë sqaruar çështjen e buxhetit të dedikuar për shpenzimet e familjarëve të të akuzuarve nga Tribunali i Hagës.
“Sa i përket përcaktimit të kohës se sa herë në vit mund të vizitohen të akuzuarit, neni 5 i Udhëzimit Administrativ MD – nr,03/2020 e përcakton qartë se: ‘Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë (12) anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre (3) anëtarë të familjes për një vizitë, sipas rregullave dhe procedurave përkatëse në fuqi për vizitat në Dhomat e Specializuara dhe me kriteret dhe procedurat e përcaktuara’”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Insajderi-n.
Gjithashtu, sqarohet se “një anëtar i ngushtë i familjes mund të vizitojë disa herë personin e akuzuar potencial. Anëtarit të ngushtë të familjes do t’i kompensohen shpenzimet e vizitës në kohëzgjatje prej tri (3) ditëve, përfshirë ditën e udhëtimit dhe ditën e kthimit”.
Sipas këtij Udhëzuesi, ku parashihet se vizitat e familjarëve të zgjasin nga tre ditë, në to do të përfshihet pagesa për vizë, udhëtimi, qëndrimi në hotel, që bëhet e ditur se kushton 80 euro dhe ushqimi 50 euro në ditë.
Një praktikë e tillë e mbulimit të shpenzimeve për vizita familjare, eskpertët e drejtësisë thonë se nuk e kanë hasur kund në botë.
Sic pohon drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Insajderi-n, është e kuptueshme që të paguhen shepenzimet për mbrojtje nga avokatët, por jo edhe për shpenzimet e vizitave të familjarëve.
Miftaraj përvec se nuk di ndonjë rast tjetër ku është aplikuar diçka e njëjtë, apo edhe e ngjashme, brengoset se do të hapet edhe mundësia për keqpërdorime të mëdha.
“Përderisa, personat e akuzuar mund të mbështeten financiarisht lidhur me përfaqësimin me avokat mbrojtës qoftë nga ana e Prokurorisë me avokat sipas detyrës zyrtare apo nga shteti i Kosovës, në mënyrë që të njëjtit të kenë përfaqësim adekuat dhe efikas, e njëjta nuk mund të arsyetohet lidhur me shpenzimet për vizitat e familjarëve dhe personave të tjerë. Praktikë e tillë nuk ekziston as në një shtet të botës dhe mundësitë për keqpërdorim janë të mëdha”, ka thënë Miftaraj.
Bazuar në punën dhe të dhënat e publikuara nga Prokurori i Specializuar, sipas drejtorit të KDI-së, mund të analizohet se kjo prokurori ka ngritur dy aktakuza, ku së paku në njërën aktakuzë janë të akuzuar 11 persona, ndërsa numri i personave të akuzuar mund të kalojë shifrën prej 20 individësh.
Sipas këtyre të dhënave, vetëm pagesat për familjarët e atyre që do të ballafaqohen me Specialen – nëse hipotetikisht janë 20 të akuzuar – mund të arrijnë në shifra rreth 200 mijë euro.
Lidhur me përfaqësimin me avokatë mbrojtës të këtyre individëve që pritet të akuzohen nga Specialja, koordinatori i avokatëve kosovarë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Artan Qerkini ka thënë për Insajder-in se të akredituar nga Kosova janë gjithsej 47 avokatë.
Se si do të realizohen pagesat për këta mbrojtës juridikë, sipas Qerkinit duhet të sqarohet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, pasi që sipas tij, në Udhëzimin Administrativ të kësaj ministrie, 02/2020, ka dispozita të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.
“Pagesat do të realizohen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Drejtësisë 02/2020, i cili për mendim tim duhet të sqarohet sepse përmban dispozita të cilat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Udhëzimi parasheh që avokatët të paguhen sipas veprimeve të cilat i ndërmarrin me procedurën penale”, ka përfunduar Qerkini.
Për sqarimin e kësaj çështjeje, MD-ja nuk ka hezituar të japë shpjegim për redaksinë.
Nga Ministria tregojnë se për caktimin e honorarëve për avokatë do të merren parasysh disa kritere – përfshirë këtu edhe çmimin që e përcakton tregu vendor.
“Sipas Udhëzimit, gjatë shqyrtimit dhe vendosjes për kërkesën për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtje juridike respektohet parimi i arsyeshmërisë, efikasitetit, efektivitetit dhe atë të tregut”.
“Po ashtu mbulimi i shpenzimeve për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial sipas kërkesës bazohet në: tarifat e përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifat për avokatë në Holandë; tarifat e shtetit prej nga vjen mbrojtësi si dhe tarifat për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara”, thuhet në përgjigjen sqaruese të MD-së drejtuar Insajderi-t.
Gjykata Speciale ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës, për t’i hetuar pretendimet se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime kundër njerëzimit.
Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.
Madje, tashmë vec ka një njoftim për aktakuzat e para nga Specialja ku janë nëntë ish-udhëheqës të UÇK-së në mesin e të cilëve edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Deri në tetor është koha kur do të refuzohet ose konfirmohet një aktakuzë e tillë e Speciales. /Insajderi.com