Si duhet të vishemi dhe të sillemi?

Si duhet të vishemi dhe të sillemi?

Kohëve të fundit e keni parë se si vishet dhe veqanërisht si mbathet kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Gjatë takimeve diplomatike të shteteve ballkanike dhe ato të NATO-s, e keni parë se si sillen Ramush Haradinaj dhe Edi Rama. E keni parë se si këta dy u shkojnë pas burrështetasve, që në këtë rast ishin gra, duke u munduar që të bisedojnë me to. Haradinaj i fliste Angela Merkelit edhepse ajo jepte shenja se nuk dëshironte të bisedonte. Haradinaj e zbatonte stilin: s’ka lidhje a po don ti, unë po du.

Edi Rama me patika (atlete) para udhëheqësve të botës. Me dy duart e tija të gjata e kapte nga pas në supe Theresa May-in. Demek, të kam shoqe të ngushtë apo të kam pikë të dobët. Ajo e ngrata e ulte kokën dhe mundohej ta minimizonte këtë rast duke e injoruar sjelljen e pahijshme të kryeministrit shqiptar.

Pyetja: pse këta ‘udhëheqës’ tanë i bëjnë këto budallakia? Përgjegjja: i bëjnë jo vetëm për shkak se u mungon edukata por më shumë për shkak se mendojnë që ne mahnitemi (pozitivisht) me ta. Pra, do të fascinohemi se sa afër janë ata me udhëheqësit e superfuqive të botës. Këta udhëheqës tanë me siguri nuk e dijnë që këto momente ne i shikojmë me turp duke u munduar të fshihemi nën tavolinë para televizorit.

Kur flasim për turpin por edhe për momente tjera të pavolitshme, njerëzit duhet të sjellin shembuj apo përvoja nga jeta e tyre. Unë, një herë jam ballafaquar me turpin. Më poshtë po ua rrëfej një rast kur unë jam turpëruar për shkak se nuk kam dijtë se si të vishem ose kur jam veshur sikur Edi Rama.

Rasti ka të bëjë me vizitën time të parë në ‘Reform Club’ dhe takimin me Sir Reginald Hibbert-in. Sir Reginald Hibertin e kisha takuar disa herë dhe intervistuar. Duhet ta përkujtojmë se Hibbert është autor i një libri të shkëlqyeshëm që quhet ‘Albania’s national liberation struggle: the bitter victory’ e përkthyer edhe në shqip. Hibbert është shkolluar në Oxford dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer si oficer ndërlidhës britanik me partizanët e Shqipërisë. Pastaj, Hibbert ka shërbyer në poste të larta diplomatike në Foreign Office, përfshirë pozitën e shefit të kuadrove, dhe ambasador britanik në disa vende të rëndësishme duke u pensionuar pas shërbimit si ambassador në Francë.

Një herë, gjatë vitit 1992, Sir Hibert më ftoi që të takoheshim në ‘Reform Club’ që ishte klubi ku ai ishte anëtar e që gjendet në një vend prestigjioz të Londrës. ‘Reform Club’ është i themeluar në vitin 1841 dhe gjatë historisë është njohur si klub i burrave (gentlemen’s club) me ide liberale që kanë ushtruar influencë të madhe në Britani dhe në botë. Ky klub edhe sot është aq i rëndësisëhm sa që dikund, në ndonjë shtet, më lehtë bëhesh kryeministër ose president se sa anëtar i këtij klubi. Ta zëmë, anëtarë të ‘Reform Club’ kanë qenë personalitetet siq është Winston Churchill dhe shumë përsonalitete tjera të këtij rangu siq janë sot disa anëtarë të familjes mbretërore britanike.

Dhe, në ditën e takimit unë shkova në ‘Reform Club’ dhe u paraqita te recepcioni. Recepcionisti, një burrë i moshuar por tejet elegant, më pyeti për arsyen që isha aty. Kur i tregova se dëshiroja të hyja brenda se kisha takim, ai më shikoi në sy me habi të madhe. Pastaj, më ‘skanoi’ nga gishtat e këmbëve e deri te flokët. Nuk tha gjë me gojë por shikimi i thoshte:’Ku je nisë kështu?’

‘Ju, zotëri, nuk keni mundësi ta takoni askend në këtë klub’ – më tha me mirësjellje. Kur e pyeta pse, ai më tha:’Për shkak se nuk jeni i veshur siq duhet’. Pastaj, ai ma spjegoi kodin e veshjes: këpucë të zeza me lidhëse (toja), këmishë me kravatë dhe pantollona e sako të shtofit me ngjyrë të mbyllur.

Nga të gjitha këto rroba që kërkoheshin unë kisha vetëm këmishë të veshur. Rrobat tjera ishin këpucë ngjyrë kafe, farmerka (jeans) dhe per sako kisha një jakne (xhaketë) të lëkurës. Unë isha në rregull sikur të shkoja në koncert të ‘rock & rollit’ por jo për ‘Reform Club’. ‘Shko vishu dhe kthehu e hynë brenda’ – më tha recepcionisti. Pasi që për këtë gjë nuk kishte mundësi, unë kërkova që ai ta thërriste Hibbertin që ta shihja.

Sir Reginald Hibbert zbriti shkallëve duke më shikuar me habi. Por, shpejt e mbuloi habinë me një buzëqeshje të një diplomati të rryer. ‘E rregollojmë këtë punë’ – i tha recepcionistit. Më kërko falje që nuk ma kishte spjeguar kodin e veshjes. Në fakt gabimi ishte më shumë i imi për shkak se unë duhej ta dija se ku po shkoja. Sidoqoftë, ai më mori në një dhomë që në fakt ishte garderobë ku anëtarët e klubit kishin rrobat e veta rezervë por edhe për mysafirë të rastit siq isha unë. Pas një kombinimi, unë u vesha dhe kur dolëm në koridor recepcionist më tha:’That’s it, Sir’ (kështu duhet, zotëri) dhe i shkoi buza në gaz.

Domethënien e bëzeqeshjes së tij e kuptova kur dola në pushimoren e parë të shkallëve dhe e pashë veten në një pasqyrë të madhe. Këpucët e dija që nuk ishin të numrit tim se filluan të më dhembnin gishtat e këmbëve. Por, tashti i pashë mirë pantollonat që vareshin në mes këmbëve si shallvare. Sakoja ishte më e ngushtë se që duhej. Me një fjalë, unë në ‘Reform Club’ nuk dukesha aspak si ‘gentleman’. E mbaj mend që për shkak që nuk ndjehesha mirë, nuk koncentrohesha në bisedë.

Turpi im nuk përfundoi këtu. Sir Hibbert, për veshjen time, i kishte treguar një shoqes sonë të përbashkët dhe ajo, pastaj, si një agjensi e lajmeve, tërë atyre që njiheshim reciprokisht. Nuk vonoi dhe tërë Londra e mori vesh stilin e veshjes time në ‘Reform Club’. Por, unë nga ky moment u mësova se si duhet të vishem kur shkohet në disa vende.

Do të ishte mire që në këto tubimet ku marin pjesë udhëheqësit tanë të qëndroj dikush te dera për t’ia ndaluar hyrjen Edi Ramës i cili nuk di se si të vishet. Natyrisht, duhet edhe një tjetër të qëndroj brenda dhe t’i nxjerrë jashtë Ramushin dhe Edin për shkak se nuk dijnë se si të sillen. Pa gjuhë diplomatike t’ju thotë:’Dilni jashtë, bre hajvana’.