Paralajmërimi i ish-ministres së Drejtësisë në Qeverinë Kurti 1, Albulena Haxhiu, se procesit të verifikimit përveç prokurorëve dhe gjyqtarëve, do t’i nënshtrohen edhe Policia, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, është mirëpritur nga kjo e fundit.
Nga ATK thonë se njoftimi paraprak nga Lëvizja Vetëvendosje që do të ketë Vetting edhe në këtë institucion, është i pranueshëm meqë ndihmon në rritjen dhe përmirësimin e integritetit të ATK-së.
Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ky institucion rikujton edhe thirrjet në drejtim të tatimpaguesve dhe çdo pale tjetër, të cilën e atakon ky institucion, që për çdo rast për të cilin ka dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsionit të denoncojnë rastin në organet e drejtësisë.
“Ne si institucion kemi pas shumë raste kur për zyrtaret tonë kemi iniciuar procedura hetimore. Andaj, paralajmërimin e znj.Haxhiu sigurisht që do ta mirëpresim sepse kjo është edhe një mekanizëm tjetër i drejtësisë, i cili ndihmon në rritjen dhe përmirësimin e integritetit të ATK-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Administratës Tatimore të Kosovës për redaksinë.
Ndryshe prej ATK-së, nga Policia e Kosovës nuk preferojnë të komentojnë mbi këtë deklaratë të bërë nga partia që pritet të qeverisë vendin.
Shkurtazi Policia thotë se “është institucion i zbatimit të ligjit dhe nuk merret me komentime të deklaratave”.
Ndërsa, nga Dogana e Kosovës nuk kanë qenë të qasshëm në pyetjet e dërguara nga Insajderi.
Të dielën e 7 marsit, anëtarja e LVV-së, Albulena Haxhiu, tha se kjo parti vazhdon ta ketë prioritet Vettingun në sistemin e drejtësisë dhe këtë premton se do të nis ta realizojë posa ta marrë mandatin qeverisës.
Mirëpo, kjo parti politike nuk do të merr parasysh katër opsionet për Vetting që janë hartuar nga grupi punues gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Insajderi ka provuar të kontakojë edhe ministrin në detyrë të Drejtësisë, Selim Selimi, për këtë çështje, por i njëjti nuk është përgjigjur.
Pas disa muajsh pune, grupi punues kishte propozuar katër opsione për Vetting, ku opsioni i parë është vazhdimi i status quo-së apo gjendjes ekzistuese, opsioni i dytë adreson problemet përmes ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me llogaridhënien. Opsioni i tretë parasheh mundësinë e adresimit të të metave në llogaridhënie përmes masave të kombinuara, përkatësisht, Vettingut në njërën anë dhe përmirësimit të performancës dhe disiplinimit përmes ndryshimeve ligjore në anën tjetër, ndërkaq opsioni i katërt sheh si zgjidhje zhvillimin e Vetting-ut për gjyqtarë dhe prokurorë.
“Nuk do të jenë si pikë reference, jo pse dua ta neglizhojë punën e tyre, por se në programin tonë qeverisës, ne si me thënë parashohim diçka tjetër në raport se si në Kosovë duhet të bëhet Vettingu. Po them edhe një herë, raporti në fjalë nuk është si me thënë dokument i mjaftueshëm për të pasur një pasqyrë të qartë se si në Kosovë duhet të bëhet Vettingu, prandaj edhe personat të cilët kanë punuar në këtë grup padyshim që do të ftohen në grupet punuese, sepse Ministria e Drejtësisë nuk ka interes të punojë me një mungesë transparence, pra do të jetë transparente sepse kështu e obligon edhe rregullorja e punës së qeverisë. Do të ftohen grupet e interesit, do të ftohet pra shoqëria civile, do të ftohen përfaqësuesit e prokurorisë, gjykatave, policisë dhe të tjerë, por edhe ekspertë të tjerë pa të cilët padyshim se do të jetë e vështirë që të adresohet”, ka thënë Haxhiu për KP.
Pjesë e grupit punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për vettingun të votuar në Qeverinë e Kosovës ishin përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor e Prokurorial, Agjencia Kundër Korrupsion, Policia e Kosovës, AKI, Oda e Avokatëve të Kosovës. Ndërsa pjesë e grupit në rolin e këshillëdhënësit janë përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada e SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Francës, Misioni i OSBE dhe përfaqësues të tjerë nga Shoqëria Civile. /Insajderi.com