Si ia humbi vendit 3 vjet kot kryeministri me demarkacion

Si ia humbi vendit 3 vjet kot kryeministri me demarkacion

Ramush Haradinaj u mor 3 vite me kauzën e demarkacionit. Në fillim ia nisi duke e kundërshtuar e më pas e miratoi atë. Kur e kundërshtoi ishte opozitar, e kur miratoi ishte kryeminsitër.

Gjithça nisi me përdorimin e fjalës pederr, që Haradinaj e kishte përdorur kundër Kryetarit të Komisionit për shënjimin e vijës kufitare, Murat Meha. Madje, Mehës, Haradinaj i kishte përplasur hartat në fytyrë.

Në atë kohë, kryetar i AAK-së, Haradinaj me çdo kusht kundërshtonte këtë marrëveshje, dhe vazhdimisht deklaronte se Kosova i humb hiç më pak se 8200 hektarë.

Thoshte se nuk do të lejojë që një marrëveshje e “Hashim Burojës dhe Murat pederrit, t’ia humb Kosovës Kullën dhe Cakorrin“.

Haradinaj që ishte i pari që e kishte nisur këtë kauzë, e kishte mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismas, që në atë kohë të trija këto parti ishin në opozitë.

Kundërshtimi i tyre, e sidomos i Haradinajt, vazhdoi në të gjitha format. Kërkonte dorëheqjen e Murat Mehës, dhe kthimin në pikën zero të kësaj marrëveshje.

Nuk e lejonte qeverinë e Kosovës, që udhëhiqej nga Isa Mustafa, që këtë marrëveshje ta sjellë në Kuvend, për ta hedhur në votim.

Dy tentimet e qeverisë Mustafa, u kthyen mbrapsht. Arsye për këtë ishte gazi lotsjellës, që Haradinaj me deputetët e partisë së tij, dhe të partive tjera opozitare (VV dhe NISMA-s), kishin hedhur në shumë seanca të Kuvendit të Kosovës.

Asnjëherë nuk ishte lëkundur në qëndrimet e tij; Kosova humb territor dhe kjo marrëveshje nuk do të kalojë.

Haradinaj nuk ishte bindur as kur akterët ndërkombëtar i kërkonin vazhdimisht që të ndryshojë bindje për këtë temë. I thoshin që është kusht për liberalizim të vizave, por as kjo gjë nuk ia ndryshoi mendjen.

Nuk e kishte pranuar edhe një propozim të bërë nga deputetët Ilir Deda dhe Vjosa Osmani, që kërkonin shkarkimin e komisionit Meha, dhe vendosjen e një komisioni të ri.

Ai ishte arsyetuar se nuk do e pranojë një propozim të tillë, sepse nuk ka efekte juridike, që do t’i ndiqte nënshkruesit e kësaj marrëveshje penalisht, për gjoja si thoshte ai, dëmin që ia kanë bërë Kosovës.

Ishte pikërisht kjo marrëveshje për vijën kufitare, që Haradinaj kërkonte shkarkimin e qeverisë Mustafa.

E, kur shkarkimin e saj e kërkonte edhe PDK, që ishte në koalicion me LDK-në, partia e Haradinajt së bashku me partitë tjera opozitare, votuan pro shkarkimit të saj.

Pas rrëzimit të qeverisë Mustafa, u shpallën zgjedhjet nacionale, që u mbajtën më 11 qershor të vitit të kaluar.

Garës zgjedhore Haradinaj kishte vendosur që t’i hyjë së bashku me Partinë Demokratike të Kosovës, lideri i mëparshëm i saj, Hashim Thai, e kishte nënshkruar marrëveshjen për demarkimin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Në fushatën zgjedhore të atyre zgjedhjeve, Haradinaj premtonte që më në fund do t’i japë kahje tjetër kësaj teme.

Pas publikimit të rezultateve zgjedhore, ai kishte arritur që të bëhet kryeministër i vendit.

Tashmë në koalicion kishte dy parti që e përkrahnin marrëveshjen e demarkacionin (PDK-në dhe AKR-në) dhe NISMA-n e Fatmir Limajt, që po ashtu sikur Haradinaj, ishin kundër kësaj marrëveshje.

Haradinaj si kryeministër, ndër vendimet më të para të tij, ishte shkarkimi i komisionit të kryesuar nga Murat Meha, dhe zëvendësimin e tij me një komision të ri, që udhëhiqej nga Shpejtim Bulliqi.

Ai vazhdimisht krenohej me këtë veprim, duke thënë se tashmë fjalën përfundimtare do të kenë ekspertët e komisionit Bulliqi.

Raporti i këtij komisioni, “konfirmonte” pretendimet e Haradinajt, duke thënë se me marrëveshjen e komisionit Bulliqi, Kosova humb tokë.

Pas raportimit që komisioni Bulliqi i bëri para qeverisë Haradinaj, ai shpresonte që më në fund do të ndryshohet kjo marrëveshje. Haradinaj deklaronte që raporti i këtij komisioni, do të jetë në fuqi.

Por, gjërat ndryshuan shpejt. Kjo pasi që Mali i Zi, së bashku me akerët ndërkombëtar kërkonin që deputetët e Kuvendit ta ratifikonin marrëveshjen e nënshkruar sipas komisionit të Murat Mehës.

Ai filloi që të ndryshojë mendim, sidomos pas arritjes së marrëveshjes në mes presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët u pajtuan që fillimisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, ta ratifikojnë këtë marrëveshje, e pastaj ajo të negociohet.

Haradinaj doli me qëndrim që në marrëveshjen e komisionit Meha, të futen edhe marrëveshja e presidentëve dhe komisionit Bulliqi, dhe të trija së bashku të prezantohen para deputetëve të Kosovës, dhe ta marrin miratimin e tyre.

Kjo fillimisht, nuk ishte pranuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët kërkonin që raporti i Komisionit Bulliqi të jetë vetëm orientues në këtë marrëveshje.

Në fillim Haradinaj hezitoi ta pranojë këtë kusht të LDK-së, por pas ditësh ndryshoi mendim.

U pajtua që në Kuvend të shkojë raporti i Komisionit Meha, së bashku me marrëveshjen e presidentëve, kurse raporti i Bulliqit të jetë vetëm orientues i kësaj marrëveshje.

Me të nuk u pajtuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetët që ishin larguar nga kjo parti.

Haradinaj e kërkonte votën e tyre duke thënë se tashmë situate nuk është e  njëjtë, për shkak se në marrëveshje ekziston edhe komisioni Bulliqi.

Aithoshte se duhet kaluar kjo temë, në mënyrë që t’u happen dyert qytetarëve për të lëvizur lirshëm, arsyetim të cilin sa ishte në opozitë nuk e pranonte.

E kur qeveria e tij, sikur ajo e Mustafës, tentoi disa herë për votimin e kësaj çështje, ajo arriti që të kalojë.

Por, si u soll Haradinaj ndaj qeverisë së kaluar, u sollën deputetët e Vetëvendosjes, me të.

Haradinaj së bashku me opozitën e atëhershme, kishin dërguar në Kuvend peticionin e 205 mijë nënshkrimeve kundër kësaj marrëveshje, dhe në disa seanca kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.

Njëjtë ndaj tij, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ia sollën peticionet e njëjta dhe brenda një séance hodhën 4 herë gaz lotsjellës, me qëllimin e njëjtë si të Haradinajt në atë kohë: pamundësimin e kalimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Ramush Haradinaj humbi 3 vjet duke e kundërshtuar këtë marrëveshje, dhe duke hedhur kritika të mëdha ndaj komisionit të udhëhequr nga Murat Meha. Të gjitha këto i bëri në kohën sa ishte në opozitë. E tani kur Haradinaj është kryeministër i Kosovës, votoi pro dhe kërkoi nga të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë, pikërisht për një marrëveshje që në bazament e ka raportin e Komisionit të Murat Mehës./Insajderi.com