Si ndodhi që s’u vërejt për disa ditë mungesa e 2 milionë eurove në Dhomën e Thesarit?

Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, ka shpjeguar për Gazetën Online Insajderi deformimin e sistemit të sigurisë së informacionit brenda Qeverisë së Kosovës – që i mundësoi Labinot Grudës të vidhte mbi dy milionë euro dhe të mos diktohej fare për disa ditë me radhë.

Si ndodhi që s’u vërejt për disa ditë mungesa e 2 milionë eurove në Dhomën e Thesarit?

Zyrtari i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, më 9 tetor dyshohet të ketë kryer katër transaksione me më shumë se dy milionë euro të shtetit – të cilat u dërguan në një kompani private me bazë në Llapushnik të Drenasit.

Madje, skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për tetë minuta.

Se si është arritur që kaq lehtë dhe shpejtë të kryhet një akt i tillë nga një zyrtar i Thesarit, për Gazetën Online Insajderi, ka sqaruar eksperti i fushës së sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, i cili thotë se një shumë e tillë duhej të tërhiqte vëmendjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit.

“Mungesa e mekanizmit të duhur të kontrollit ka bërë që të bëhet ky transferim pa u vërejtur me ditë të tëra”, deklaron Hoxhaj.

Ai e ka komentuar me nota negative në përgjithësi sistemin e sigurisë së informatave në Qeverinë e Kosovës, për çka thotë se nga ky institucion nuk ka asnjë raport apo të dhënë lidhur me masat që merr, apo janë marrë, për mbrojtjen e resurseve që i posedon.

“Sistemi i sigurisë së informacionit në Qeverinë e Kosovës lë mjaft për të dëshiruar. Nuk kemi asnjë raport apo të dhënë lidhur me masat që Qeveria ka marrë apo merr për të mbrojtur asetet e saj”, ka thënë më tej Hoxhaj.

Redaksia ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Qeveria lidhur me këtë çështje, mirëpo nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkaq, vetëm para tri ditëve (23 tetor) Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se është duke e hartuar Projektligjin për siguri kibernetike.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MPB’ja ka bërë me dije se është mbajtur takimi i grupit punues për Strategjinë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike dhe Planin e Veprimit 2020-2025.

Këtë takim e kishte hapur Koordinatori i Strategjisë, njëherësh zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, i cili ka thënë se “ngritja e sigurisë është e domosdoshme në të gjitha institucionet publike dhe se tashmë janë bërë plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike”.

“Ministria e Punëve të Brendshme është duke hartuar projektligjin për siguri kibernetike, ku qëllimi i këtij Ligji do të jetë që të përcaktojë parimet e sigurisë kibernetike, parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Derisa ministria të hartojë projektligje të reja, atë aktualin s’e ka pasur problem ta keqpërdorë tashmë i arrestuari Labinot Gruda.

Ai, sipas ministres, Hykmete Bajrami, punonte që 11 vjet në Thesarin e Shtetit.

Gruda, sic shpjegon drejtori i Thesarit, Ahmet Ismaili, “kishte kryer funksionin e menaxherit të tavolinës ndihmëse, detyra e tij ishte krijimi i përdoruesve të punëtorëve në sistem”.

Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës tutje ishte shprehur se e ka menduar dorëheqjen nga ky post, pas transferit të mbi dy milionë eurove nga ky institucion në kompaninë nga Llapushniku i Drenasit, prej së cilës kanë rrjedhur në dhjetëra llogari të tjera.

“E kam menduar dhe jam jashtëzakonisht i thyer pas rastit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se pas zbardhjes së rastit, do ta shqyrtojë qëndrimin e tij në pozitën e udhëheqësit të Thesarit.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda u arrestua, nën dyshimin, se përmes katër transaksioneve e ka bërë transferimin e këtyre mjeteve.

Zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro (dy milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë) nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, pronari i së cilës sot është vetëdorëzuar në polici.

Për të arrestuarin Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. /Insajderi.com