Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hapur fushatën zgjedhore në Podujevë. Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës e disa ministra të LDK-së. Në fotot e dokumentimit të ngjarjes shihen të njëjtit duke mos respektuar disa nga masat për parandalimin e pandemisë. Ata kishin maska, por u mungonte distanca fizike mes njëri – tjetrit dhe tejkalonin numrin prej 5 personave – sa lejohen me manualin anti-COVID. Nga LDK mohojnë thyerjen e rregullave – fotot e eventit mohojnë atë që thotë LDK.
Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të komentojë lidhur me fushatën zgjedhore të djeshme për zgjedhjet komunale në Podujevë, ku disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, prej tyre edhe nga kabineti qeveritar – përfshirë kryeministrin Avdullah Hoti – nuk kanë respektuar masat për parandalimin e pandemisë.
Dhjetëra zyrtarë të LDK-së janë parë të grumbulluar në një hapësirë publike në Podujevë, duke mos respektuar kështu vendimin për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në pikën 12 të manualit përcaktohet se “Ndalohet grumbullimi i qytetarëve prej më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe dhe vende publike, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim”, derisa në rastet e lejuara në këtë vendim, nuk hyn organizimi i tubimeve publike në fushatë zgjedhore.
Zëdhënësja e Zyrës së Kryeministrit, Antigona Baxhaku, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi ka thënë se nuk mund të deklarohet lidhur me këtë çështje, pasi që kreu i Qeverisë në hapjen e kësaj fushate zgjedhore nuk ka shkuar në cilësinë e kryeministrit, por si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Është një fushatë e një subjekti politik dhe nuk e përfaqëson Qeverinë e Kosovës, kështu që aktivitetet kanë qenë pjesë e subjektit politik dhe jo pjesë e aktiviteteve institucionale si kryeministër i Kosovës, aty ka qenë si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju lutem komunikoni me LDK-në dhe me instituticionet që ishte dashur që t’i ndëshkojnë për mosrespektim të masave, meqë po thoni se nuk janë respektuar”, ka thënë Baxhaku.
“Nuk mund të deklarohem për shkak që nuk ka qenë kryeministri në postin e kryeministrit por si nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
Edhe pse në fotografinë e publikuar nga vetë Nexhmi Rudari shihet se në këtë fushatë zgjedhore ishin më shumë se pesë persona, ashtu siç edhe parapërcaktohet me ligj sa i përket grumbullimit të qytetarëve në hapësira publike, kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga LDK, thotë se masat e vendosura nga Qeveria janë respektuar nga kjo parti dhe përfaqësuesit institucional që ishin prezent në këtë aktivitet.
Madje, ai shton se zyrtarët pjesëmarrës kanë pasur distancë të mjaftueshme dhe maska.
“Ne kemi respektuar plotësisht masat e vëna nga qeveria, si strukturë partiake dhe përfaqësues të institucioneve. Tubimi ka qenë spontan dhe ne nuk kemi ftuar qytetar edhe pse jemi munduar t’i bindim për të mbajtur distancën. Takimi ka zgjatur 5-7 min. Zyrtarët kanë pasur distancë të mjaftueshme dhe maska”, Nexhmi Rudari për Insajderin.
Redaksia ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, si organ kompetent për shqiptimin e gjobave ndaj personave që nuk respektojnë masat anti-COVID, por nga ky institucion thonë se PK bën publike tiketat e shqiptuara në raportin 24-orësh të saj, por nuk i tregon askujt arsyet pse janë shqiptuar.
“Policia i bënë publike gjobat e shqiptuar gjatë 24 orëve, po nuk i ndan kujt dhe arsyen pse ia ka shqiptuar, por ato shqiptohen bazuar në ligjin anti-COVID”, thuhet shkurt në përgjigjen e zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.
Kritika lidhur me këtë çështje pati edhe nga ana e opozitës.
“A janë tu ditë çka po dojnë e çka po bajnë”, ka shkruar Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës, teksa ka publikuar një fotografi të tubimit të djeshëm dhe ligjin për pandeminë.
Ndërsa, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj mënyrës së mbajtjes së fushatës para zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, duke bërë thirrje për Policinë e Kosovës që të veprojë përballë shkeljeve të masave anti-Covid-19 në fushatën para zgjedhore në Podujevë.
Me anë të një komunikate për media, IKD thotë se mos respektimi i masave kundër COVID-19 nga ana e të tri partive politike “paraqet kundërvajtje sipas Ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në Territorin e Republikës së Kosovës”. /Insajderi.com