Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka identifikuar se 61 persona që kanë votuar në procesin e rivotimit në Istog kanë qenë nga komunat tjera.
“Gjatë konfirmimit të votave me kusht dhe VPNV-ve, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë refuzuar 172 zarfe me fletëvotime. Arsyet se përse janë refuzuar këto vota dhe nuk janë numëruar – kanë të bëjnë me mosplotësim të kritereve ligjore”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas KQZ-së, në 108 raste votuesit nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve; nNë 61 raste votuesit nuk kanë qenë nga komuna e Istogut, por nga komunat tjera.
Gjithashtu, në të gjeturat e KQZ-së thuhet se në 2 raste votuesit nuk kanë qenë të regjistruar si votues të kategorisë së Nevojave të Veçanta; dhe në një rast është vërtetuar se votuesi ka votuar edhe në vendvotimin e rregullt.
“Me qëllim të sigurimit të një procesi transparent dhe të besueshëm para qytetarëve të Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar fletëvotimet e konfirmuara të këtyre kategorive në prezencë të mediave, vëzhguesve të subjekteve politike dhe të shoqërisë civile”, thuhet në njoftimin e KQZ-së./Insajderi.com