Si u bë Albin Kurti “pacient” i Burdushit?

Kanë mjaftuar vetëm katër muaj që Albin Kurti të transformohet nga një politikan që i dridheshin nga frika gjithë kundërshtarët politikë, në një kandidat për kryeministër që po e përqeshin për mungese shkathtësie dhe guximi. Edhe Burdushi po tallet me të. Njeriu që kishte ide të mëdha si udhëheqës i jashtëzakonshëm i "Republikës së Tretë", nuk po arrin të bind disa politikanë mesatarë të LDK-së për krijimin e një qeverie të zakonshme.

Si u bë Albin Kurti “pacient” i Burdushit?

Imazhi i Albin Kurtit ka pësuar ndryshime radikale.

Para katër muajsh, në tetor të vitit të kaluar kur shpalli fitoren, ai shihej si një politikan i fuqishëm që do të mbretërojë për një dekadë dhe do të bëjë ndryshime rrënjësore me Kosovën. Askush nuk tallej me të. Kundërshtarët politikë i frikësoheshin.

Pas katër muajsh, tash po përqeshet si një politikan i pashkathët që nuk mundet të realizojë as ëndrrën e tij personale, për t’u bërë kryeministër. Kundërshtarët politikë nuk frikësohen më nga ai.

Më e keqja, mungesa e shkathtësisë së tij është bërë material edhe për “magjistarin”, Hysri Peqanin, i njohur si Burdushi.

Albin Kurti nuk duket madhor si në mbrëmjen e 6 tetorit të vitit të kaluar. Negociatat e kanë dërrmuar.

Ajo çfarë ndodhi në mbrëmjen e 6 tetorit – mbetet vetëm një show i mirë.

Triumfatori po ngjitej në skenë në sheshin e kryeqytetit për të njoftuar më shumë se fitoren e partisë së tij. Ai kishte kumtuar ndryshim rrënjësor të historisë së Kosovës. E kishte bërë pikërisht në vendin ku kishte nisur karriera e tij politike, në sheshin e protestave.

Aty ai kishte paralajmëruar një etapë të re historike.

“6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuziazmit të tretë. I pari ishte çlirimi i Kosovës në qershorin e 99’ës, i dyti ishte shpallja e pavarësisë, ndërsa i treti është tetori dhe fitorja e Vetëvendosjes”, kishte thënë Kurti.

Këtë deklarata e dha katërmbëdhjetë muaj pas asaj të famshmes për Republikë të Tretë.

“Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë”, kishte shkruar Kurti për nder të 28 vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990.

Në mbrëmjen e 6 tetorit të vitit të kaluar kur Kurti po shpallte fitoren vërehej qartë që ai po mendonte për futjen e tij dhe të VV-së në histori.

Negociatat për krijimin e qeverisë së mandatit të parë të tij shihej se i dukeshin formalitete. Çështje këto, njeriut që do të zë vend në histori, do t’ia kryenin vartësit e tij: Besnik Bislimi apo Glauk Konjufca.

Por, Kurti doli i gabuar. Tashmë e ka vërejtur që ato kanë qenë vetëm deklarime nën emocionet e gëzimit të fitores.

Ai nuk po tregohet i shkathët t’i kryej as vetë negociatat për krijimin e koalicionit qeverisës me LDK-në.

Përpjekjet e tij të deri tashmë kanë dështuar. Tendencat e tij për ta shtrydhur LDK-në dhe për t’ia dëmtuar imazhin në rast se refuzon bashkëpunimin, tashmë i janë kthyer bumerang.

Imazhi i tij është dëmtuar shumë.

Parimet e tij janë thyer. Nga një politikan që vlerësohej si i pakompromis dhe që nuk i korrupton parimet e tij, tashmë ka fituar imazhin e një politikanit që i mungojnë ato.

LDK-ja e Isa Mustafa e ka bërë objekt talljeje. E ka detyruar që ta fusë në pazar për poste ekzekutive edhe postin e presidentit. Kurti respektohej si politikan që besonte se posti i presidenti është simbol i unitetit. Tashmë, nuk respektohet më si i tillë.

E ka detyruar që të thyejë publikisht premtimin e tij për vetëm 12 ministri. Me e keqja është që nuk ia ka pranuar thyerjen e këtij premtimi publik që e rriste numrin në 14 ministri.

Paradoksalisht, oferta e tij për rritje të numrit të ministrive është refuzuar nga LDK-ja, partia që ka qenë pjesëmarrje në një qeveri që ka pasur 18 ministri.

Kurti respektohej si politikan që nuk lëvizë asnjë milimetër nga fjala e dhënë publike. Më nuk respektohet si i tillë.

LDK-ja, po ashtu, e ka turpëruar edhe në një pikë tjetër. E ka detyruar Kurtin që të kërkojë ndihmën e ambasadorëve të huaj për t’u angazhuar në krijimin e qeverisë së re. Ia ka hequr kredencialet e një politikani që nuk lejon ambasadorët e huaj të përzihen në punët e brendshme të Kosovës. Ky ishte parimi i Kurtit që i sillte atij mijëra vota.

Imazhi i tij është dëmtuar shumë. Futja në histori duket e largët.

Nuk ka arsye që të tregohet me kryeneç me LDK-në në disa pika të caktuar, kur shumica e parimeve janë thyer. Përfshirë premtimin e tij për të mos bashkëpunuar me çetnikët e “Lista Srspka”.

Kurti duhet të përpiqet të mbledhë copat e tij dhe të shpëtoj atë çfarë i ka mbetur.

Nëse dështon të parandalojë degradimin e tij si politikan, ai do të futet në histori si kandidati më i pa shkathët për kryeministër që e ka pasur vendi.

Të bind disi LDK-në për të krijuar qeverinë dhe të mos eskalojë nga një politikan me imazh të dëmtuar, në një politikan që tallen me të kundërshtarët politikë dhe Burdushi.

Edhe atij i ka ardhur rendi për ta shpotitur Kurtin. Mbrëmë në emisionin e Fidan Jupollit në T7, Burdushi kërkonte që ta ketë pacient Albin Kurtin e Isa Mustafën.

“Magjistari” i famshëm pohonte se magjistarë nga Serbia i kanë “fry” dy partive dhe po ndikojnë që koalicioni mes palëve të mos bëhet.

“Nëse më lejon shteti, unë shkoj para dyerve të tyre dhe bëjë me duar punën time. Le të më lejojnë t’ua spërkas dyert e LDK-së e VV-së”, thoshte Burdushi.

Edhe pse Hysriu fliste për të dytë, kryetarin e LDK-së e VV-së, unë me qëllim e vendosa vetëm emrin e Kurtit në titullin e këtij shkrimi.

Arsyeja dihet: Nuk më çuditë Isa Mustafa. Nuk kam pasur pritje se ai do ta ndryshojë Kosovën. Jo për shkak të moshës e sëmundjes së tij. Por, për shkak se është një politikan që ka filluar karrierën politike në një sistem krejtësisht tjetër, në kohën e komunizmit.

Për të pasur pritje nga Mustafa është njëjtë sikurse të prisni që ish-futbollisti i famshëm Mishell Platini që ishte aktiv në kohën e rinisë së Mustafës të rikthehej në fushën e blertë dhe të bëhet golashënuesi më i mirë në botë. Sistemet kanë ndryshuar në politik e futboll. Platini në këtë moshë nuk do ta duronte sistemin VAR, njëjtë sikurse Mustafa që nuk e duron sistemin e ri politik: Demokracinë.

Për mua duket e rëndë rënia e Kurtit në këtë derexhe.