Si u bë realitet ëndrra e Erdoganit në Kosovë

Ëndrrat nuk bëhen realitet por për një sundimtar si Rexhep Taip Erdogan kjo edhe mund të ndodh. Ka afër katër vjet që ai kishte kërkuar mbylljen e një rrjet shkollash nga cikli i ulët deri në të lartin, të cilat operohen nga “Turgut Özal Education Company” dhe “Fondacioni Arsimor Gulistan”, dhe këtë kërkesë presidenti turk sot e bëri realitet në Kosovë.

Si u bë realitet ëndrra e Erdoganit në Kosovë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan që nga viti 2015 ka kërkuar mbylljen e shkollave të “Lëvizjes Gülen”, (Gylen), e cila është një nga lëvizjet fetare më të rëndësishme në Turqi. Kjo lëvizje e merr emrin nga themeluesi i saj, Fetullah Gulen, një hoxhë nga Anadolli, tashmë 77-vjeçar.

Mirëpo presioni ndaj këtyre shkollave u rrit edhe më shumë pas puçit në Turqi më 15 korrik.

Erdogan kishte filluar një fushatë spastrimi në Turqi, jo vetëm kundër puçistëve por edhe institucioneve të tjera arsimore të lidhura me “Lëvizjen Gylen”, ku në kuadër të kësaj kishte kërkuar mbylljen e këtyre shkollave të “Gylenit” edhe në Ballkan.

Kjo lëvizje ka një rrjet të gjerë arsimor në Kosovë dhe në Shqipëri. Ky rrjet përfshin universitete, shkolla dhe çerdhe për fëmijë.

Shkollat e “Lëvizjes së Gulenit” në Kosovë udhëhiqen nga “Fondacioni Arsimor Gulistan”, e cila ka nën drejtim rreth 6 produkte të rrjetit dhe sistemit arsimor të Gulenit.

Prej tyre, katër kolegje të arsimit fillor dhe të mesëm me emrin “Mehmet Akif College – MAC”, një çerdhe – me emrin “Yllka” dhe shkollën fillore dhe të mesme të ulët e njohur si “Shkolla Ndërkombëtare e Prishtinës”.

Dhe të gjitha këto rrjete të shkollave presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kishte kërkuar nga “vëllai” i tij, Hashim Thaçi që ta mbyllte rrjetin e këtyre shkollave. Ngase themeluesin e kësaj lëvizje Erdogani e akuzon për tentim-puçin në verën e vitit 2016.

Këtë kërkesë, presidenti Erdogan ia kishte bërë presidentit Thaçi derisa ky i fundit ishte për një vizit në salltanetet në Pallatin e tij.

Erdogan i kishte kërkuar mysafirit nga Kosova që t’i mbyllë shkollat e Fetullah Gulenit në Kosovë – në të cilat janë shkolluar shumë prej fëmijëve të liderëve kosovarë, përfshirë edhe djalin e Hashim Thaçit, Endritin.

Dhe pas dy vjetësh presidenti Erdogan kërkesën e tij filloi ta zbatoi në Kosovë.

Sot përmes një aksioni të Policisë së Kosovës u arrestuan gjashtë shtetas turk, zyrtarë të lartë në shkollën, “Mehmet Akif”.

Emrat e gjashtë të arrestuarve janë Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar gjatë ditës edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka mbrojtur arrestimet që janë realizuar sot. Ministria ka thënë se gjashtë personave të arrestuar u është revokuar leja e qëndrimit.

Sipas ministrisë që udhëhiqet nga njeriu i AKR-së, Flamur Sefaj, gjashtë personat kanë qëndruar jashtëligjshëm në Kosovë.

Por, asnjëri prej tre liderëve kryesor të shtetit nuk janë në dijeni për detajet e aksionit të zhvilluar sot. Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj kanë dalur kundër arrestimit të gjashtë shtetasve turq.

Kreu i shtetit Hashim Thaçi është shfajësuar në lidhje me këto arrestime. Ai ka thënë se askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo edhe deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër.

Thaçi është shprehur se është informuar nga organet kompetente pas ngjarjes se gjashtë shtetasë janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë.

Presidenti kosovar ka kundërshtuar këto arrestime, teksa ka thënë se shteti ka dështuar.

“Sot jemi të zhgënjyer për shkak se institucionet tona relevante, për arsye që mbetet të sqarohen deri në fund, kanë dështuar të mbrojnë këto parime që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj, që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë”, ka thënë Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur kundër arrestimit të gjashtë personave turq që jetonin dhe vepronin në Kosovë. Kryeministri ka thënë se nuk është informuar nga askush lidhur me aksionin e sotëm.

“Sot përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policine e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri kosovar ka paralajmëruar masa ndaj personave përgjegjës të këtij aksioni.

“Si Kryeministër i Kosovës, duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkaq, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli është shprehur kundër arrestimit të gjashtë pjesëtarëve të organizatës “Gulistan” në Kosovë. /Insajderi.com