Si u bë “skllotë” fusnota e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit?

Si u bë “skllotë” fusnota e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thumbuar sot kryeministrin Ramush Haradinaj për taksën ndaj Serbisë duke përdorur figurativisht fjalët borë dhe skllotë.

Shefi i shtetit ka pyetur përmes një statusi në Facebook kryeministrin Haradinaj nëse po shkrihet bora apo po bëhet skllotë, duke iu referuar deklaratave të shefit të ekzekutivit për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe të kërkuara nga SHBA-ja.

“Bora ka zënë të shkrihet shpejt… Uroj të mos bëhet skllotë!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë! HTH

Posted by Hashim Thaçi on Sunday, 27 January 2019

Mirëpo, presidenti Thaçi prej kohësh nuk e përmend fusnotën me të cilën prezantohet Kosova në konferenca dhe organizata ndërkombëtare, e cila ishte vendosur si pasojë e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dialogut që udhëhiqej nga kryenegociatorja Edita Tahiri – e deleguar nga asokohe kryeministër Hashim Thaçi.

Në procesin e dialogut gjatë vitit 2012, Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi e kishin bërë Kosovën me fusnotë.

Për këtë fusnotë, e deleguara e Thaçit në dialog, Edita Tahiri, kishte thënë se bëhet fjalë vetëm për një “fluskë bore” e cila do të hiqej shumë shpejtë.

“Ndërsa pse unë e kam quajtur ‘fluskë bore’ është për arsye se në momentin që na njohin këto pesë vende të BE-së, kjo fusnotë hiqet, pra shkrihet siç e kam thënë unë”, citohet të ketë thënë Edita Tahiri, në një deklarim për gazetën Bota Sot gjatë vitit të kaluar.

E kur kanë kaluar më shumë se gjashtë vite prej vendosjes së fusnotës prapa emrit Kosovë, e cila erdhi si rezultat i dialogut ku Kosova përfaqësohej nga Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi, ende asgjë nuk ka ndryshuar.

Mirëpo edhe tash pas gjashtë vitesh, presidenti Thaçi nuk përmend “fluskën e borës” së fusnotës. /Insajderi.com