
28 vjeçari Visar Behrami vdiq të hënën derisa ishte duke punuar në renovimin e hotel Adriatikut në Mitrovicë, në të cilën do të bëhej një sallë e madhe dasmash. Ai ishte zënë pas shembjes së një pjese të punimve, duke mbetur për orë të tëra brenda gërmadhave, nga ky nuk doli i gjallë. Familjarët thonë se ai nuk ka pasur kontratë as mjete mbrojtëse.
Por cila është historia e privatizimit të këtij hoteli?
Objekti i ish-hotel Adriatiku, që të hënën mori jetën e një punëtori të ri, ishte privatizuar në mars të vitit 2005, përmes Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
I njohur si njëri nga hotelet më të mëdha të Mitrovicës, objekti ishte blerë nga biznesmeni kosovar, Masar Kasagiçi. Ndërkohë që toka mbetej pronë e komunës së Mitrovicës.
Objekti me 1500 metra katrorë, që posedonte mbi 50 dhoma u ble nga “T.F Company” që drejtohej nga Kasagiçi për çmimin prej 464,800 mijë euro, shkruan Insajderi.
Kasagiçi, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, figuron si pronar i hotel Adriatikut. Gazeta ka provuar të kontaktoj me numrin zyrtar që figuron në ARBK por në këtë numër është lajmëruar dikush tjetër.
Masar Kazagici nuk është më pronar i hotelit.
Egzon Jashari, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës ka treguar hoteli tashmë është në pronësi të katër personave, porse pjesën më të madhe të pronësisë e mban biznesmeni Ismet Osmani, i njohur si Curi.
“Objekti është në qirambajtje për 99 vjet nga AKP. Objekti është i privatizuar nga AKP-ja. 1/6 e objektit është në emër të Herolina Zekës , 1/6 tjetër është në emër të Rina Zeka dhe 1/6 tjetër është në emër të Lavdita Zeka. Kurse 3/6 janë në emër të Ismet Osmanit. Të gjithë janë persona fizik”, ka thënë Jashari përInsajderin.
Curri njihet si një nga njerëzit më të fuqishëm në Mitrovicë, i përfshirë edhe në “Betejën mafioze për tokën e shtetit”, një hulumtim i realizuar kohë më parë nga Insajderi e ku pasqyrohej veprimtaria e dyshimtë e tij.
Indoks kishte sjellë brenda një dokumentar shumë detaje nga beteja e madhe mes disa biznesmenëve në Kosovë për tokën e shtetit në Fushë Kosovë e cila kishte një vlerë të jashtëzakonshme. Njëri nga protagonistët kryesorë të këtyre ngjarjeve siç raportonte kohë më parë Insajderi ishte Ismet Osmani – Curri.
Polici e Prokuroria në Mitrovicë kanë konfirmuar së kanë ndaluar për 48 orë pronarin e hotelit dhe pronarin e kompanisë që kryente punimet mirëpo këto insitucione nuk kanë treguar për identitetin e pronarit të hotelit.
Insajderi mëson se në këtë objekt kanë nisur punimet për rregullimin e një salle të madhe dasmash, ditën e diele. Por dita e dytë e punimve, u shndërrua në tragjedi.
Rreth orës 17:00, në kohën kur viktima dhe disa punëtorë të tjerë ishin duke punuar në objekt, një pjesë e murit u rrënua, nën gërmadha e së cilës kishte mbetur i ndjeri Visar Behrami.
“Në vendin e ngjarjes në kërkim shpëtim të viktimës janë angazhuar të gjithë mekanizmat përkatës të shërbimeve emergjente si dhe njësi të FSK-së, ku pas disa orë kërkimi rreth orës 00:10 të mesnatës nga rrënojat është nxjerrë trupi i pajetë i viktimës V. B., 28 vjeçar”, njoftonte policia.
Lavdim Behrami, djali i axhës së 28 vjeçarit që vdiq dje, ka thënë se i ndjeri [Visar Behrami] nuk ka pasë kontratë pune derisa ka punuar në ish hotelin “Adriatik” në Mitrovicë.
“Ai nuk ka pasë kontratë pune pasi ka qenë në punë sezonale dhe s’ka pasë mjete mbrojtëse”, ka thënë ai.
Për renovimin e këtij objekti, i cili tash e një kohë të gjatë nuk ka qenë duke u shfrytëzuar, nuk ka pasur leje nga komuna.
Nënkryetari i komunës Faruk Mujka tha se punimet kishin filluar ilegalisht të dieln një ditë para tragjedisë.
“Objekti është privatizuar më vitin 2005 por deri më tani ka qenë pothuajse jo funksional. Ne dje në mënyrë jozyrtare kemi marr vesh se punimet kanë filluar të dielën dhe të hënën gjatë ditëve të pushimit. Nuk ka asnjë kërkesë apo leje në Drejtorin e Urbanizmit. Ju e dini që pa marr parasysh a është pronë private apo jo, duhet të pajiset me leje. Asnjë kërkesë nuk ka as nga punëdhënësi as nga punëkryresi tani kjo çështje i takon prokurorisë dhe policisë”, tha Mujka.
Mujka tha me tej se do të rekomandojnë rrënimin e objektit, porse për këtë fillimisht do të shohin anën ligjore.
“Ne mund te dalim me një rekomandim dhe sugjerim e cila pastaj pritet të marr dritën e gjelbër. Ne mendojmë se ai objekt duhet të rrënohet, por mandej duhet të shohim edhe anën ligjore. Në momentin që rrënohet ajo tokë i takon komunës së Mitrovicës”, tha Mujka. /Insajderi.com