Siguria e policëve – Mbi 400 kadetët e rinj pa jelek anti-plumb

416 kadetë të gjeneratës 54 të Policisë së Kosovës, të cilët pas diplomimit kanë nisur angazhimin në këtë institucion, po përballen me rrezik për jetën e tyre pasi nuk i kanë të gjitha pajisjet e nevojshme. Edhe pse kanë kaluar pesë muaj prej kur nisën zyrtarisht punën, ata nuk janë pajisur me jelek anti-plumb dhe radiolidhje. Policia e Kosovës, pret aprovimin e ligjit për buxhet që të blej këto pajisje.

Siguria e policëve – Mbi 400 kadetët e rinj pa jelek anti-plumb

Kanë kaluar afro pesë muaj që kur 416 kadetë të gjeneratës 54, të Policisë së Kosovës, kanë diplomuar dhe kanë nisur zyrtarisht angazhimin e tyre në këtë institucion. Ndërkohë që prej kësaj periudhe, këta 416 policë, ende nuk janë pajisur me jelek Anti-plumb dhe Radiolidhje, shkruan Insajderi.

L.B njëri nga policet e gjeneratës 54, (emër i njohur për redaksinë), që prej kohës kur ka filluar të shërbej si policë, asnjëherë nuk ka pasur radiolidhje dhe jelek anti-plumb.

Ai për Insajderin, ka thënë se këto pajisje janë të domosdoshme, sidomos gjatë punës në teren, kur rrezikshmëria është e madhe.

“Që prej kohës kur kam filluar zyrtarisht punën në polici, asnjëherë nuk kemi pas në përdorim, Radiolidhje dhe jelek Anti-plumb. Ndërkohë, këto pajisje janë bazike për një policë”, u shpreh ai për Insajderi.

Por, mungesa e Radiolidhjeve dhe jelekëve Anti-plumb, nuk është i vetmi problem për gjeneratën e re të policisë. Polici L.B i cili nuk ka dashur ta zbuloj identitetin, ka treguar se gjatë kohës sa kanë qëndruar në trajnimin bazik, kadetët kanë punuar edhe jashtë orarit të kontratës.

“Gjatë kohës sa kemi qenë në trajnimin bazik, në Akademinë e Policisë në Vushtrri, kemi punuar edhe jashtë orarit që është i paraparë në kontratë, madje edhe ditën e shtunë, e që sipas kontratës ka qenë ditë pushimi. Ditën e kemi filluar në ora 6 të mëngjesit dhe e kemi përfunduar në 4 të mbas ditës. Pra, kemi punuar deri në 10 orë, e jo 8 sa parashihet më kontratë të punës”, tha ai.

Ndërkohë, për këtë mungesë të këtyre pajisjeve, zyra për informim e Policisë së  Kosovës i ka thënë Insajderit, se furnizimi do të bëhet në rastin e aprovimit të Ligjit për Buxhet.

Aktualisht jemi në proces të lidhjes së kontratës për furnizim me Anti-plumba dhe Radiolidhje, me rastin e aprovimit të Ligjit për Buxhet ne do të bëjmë furnizimin me këto pajisje”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Për mungesën e këtyre pajisjeve, eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami e sheh si përgjegjës hierarkin, prej qeverisë, Ministrin e Brendshme e deri te menaxhmenti i policisë.

Për mungesën e logjistikës në Policinë e Kosovës, përgjegjësit janë në hierarki , që nga qeveria, MPB-ja e deri te menaxhmenti i policisë. Por përgjegjësia ma e madhe bie mbi qeverinë sepse ajo menaxhon me ndarjen e mjeteve për blerjen e pajisjeve të nevojshme për policinë“, ka thënë Islami për Insajderi.

Përpos jelekeve anti-plumb dhe radiolidhjeve, Islami ka thënë se policia ka mungesë edhe të pajisjeve tjera, të cilat duhet t`i kenë patjetër.

“Në polici ka mungesa duke filluar nga numri i automjeteve, pastaj kontrata për mirëmbajtjen e tyre me pjesë rezervë, janë jelekët Anti-plumb me afat të skaduar që duhet të zëvendësohen, ka mungesë të municionit për njësitë speciale, pastaj mungesa e armatimit për intervenime special”.

“Mungesa e kompjuterëve- sistemi PRIMS që është për futjen e të dhënave për policë, duke përfshi, vlerësimet e performancave dhe komplet administratën. Ky sistem ishte donacion, por që pas një kohe do të duhej të mirëmbahet. Është shumë i shtrenjtë mirëmbajtja dhe tash nuk ka mundësi të pagesës etj”, thotë Islami.

Por, pavarësisht mungesës së mjeteve policore, Islami thotë se policia e Kosovës është një ndër institucionet më të suksesshme në rajon.

“Mungesa e disa pajisjeve  për një numër të caktuar për policët nuk do të thotë dështim për gjithë policinë, sepse  dihet tashmë se Policia e  Kosovës është treguar si një nga më të suksesshmet në rajon, pavarësisht mungesave që kanë”, është shprehur Islami.

Policia e Kosovës, që nga themelimi ka humbur 21 policë, disa prej tyre kanë mbetur të vrarë, disa kanë humbur jetën në aksidente trafiku, e disa nga vdekja natyrale. E nga këto raste, ka ende raste të vrasjeve të zyrtarëve policor të cilat nuk janë zbardhur ende.

I fundit u vra para dy ditësh, është polici Sami Thaçi. Ai mbeti i vdekur gjatë një aksioni të operacionit të anti drogës, derisa ishin duke bastisur një shtëpi në Zhur të Prizrenit, pas shpërthimit të një bombë.

Të lënduar mbetën edhe dy policë tjerë që ishin në aksion,  Artur Mrasori me lëndime të rënda në sy.

Mungesa e pajisjeve – problem anulimi i tenderëve

Problemi i jelekëve Anti-Plumb dhe pajisjeve të tjera, duket se është problem i kamotshëm i Policisë së Kosovës.

Në vitin 2015, Policia e shtetit, kishe hapur një tender për furnizimim me këto pajisje, mirëpo, Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte anuluar këtë tender, për shkak të shkeljeve të procedurave.

Në atëkohë, Gjykata për këtë tender, kishte gjetur tri shkelje duke favorizuar një kompani.

Paneli shqyrtues kishte konstatuar se pretendimet e operatorit ekonomik ankues janë të qëndrueshme pasi që autoriteti kontraktues, kërkesat e paraqitura në dosje të tenderit janë diskriminuese apo favorizuese për operator ekonomik të caktuar, duke iu referuar prodhuesve të ndryshëm pa e përdorur fjalën “Ose ekuivalent”,konform nenit 28 par.7 të LPP-së, siç është emri tregtar “Coolmax”.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik TDT “Kosova”, me seli në Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Furnizimi me jelek antiplumb dhe maska”, të shpallur nga Autoriteti Kontraktues Policia e Kosovës. Urdhërohet Autoritetit Kontraktues, policia, që procedurën e prokurimit të bëjë përmirësimin e dosjes së tenderit konform konstatimeve të ekspertit shqyrtues dhe t’i njoftojë të gjithë operatorët ekonomik ofertues me përmirësimet e dosjes së tenderit dhe të bëjë zgjatjen e afatit për ofertim”, thuhej në vendimin e ekspertizës së OSHP-së.

Përpos, jelekeve Anti-Plumb dhe Radiolidhjeve, vitin e kaluar, Policisë së Kosovës iu kishin anuluar edhe dy tendera për blerjen e Radareve.

Organi Shqyrtues i Prokurimit për dy tenderët e anuluar kishte konstatuar se kishte shkelje ligjore duke kërkuar nga Policia e Kosovës që të riemërojnë ofertat apo të ri tenderojnë.

Policia e Kosovës ka bërë përpjekje për më shumë se një vjet për të lidhur kontratë për furnizim me radarë, por kjo nuk është realizuar për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik dhe vendimeve të Gjykatës së Tenderëve për ta anuluar atë dy herë me radhë.

Një tender tjetër i Policia e Kosovës për “Furnizmi me paisje policore”, ishte anuluar nga  Organi Shqyrtues i Prokurimit, pasi që kompania kontraktuese “ARTIUS GROUP”, kishe falsifikuar dokumentet duke paraqitur te dhëna të rreme.

Insajderi më parë kishte raportuar sesi kompania “ARTIUS GROUP” e cila udhëhiqet nga diplomati kosovar, Viktor Mehana, kishte tentuar ta “Mashtrojë” shtetin.

Tenderi që ishte hapur në shtator te vitit të kaluar, peshonte 1 milion e 285 mijë e 648.60 euro, ku ishte i ndarë në pesë lote dhe aty kishte aplikuar edhe “Artius Group”. /Insajderi.com