fbpx

Sikur Mihali të ishte minoritar

Shkruan: Ervin Qafmolla

Sikur Mihali të ishte minoritar

Nuk do kishte rrëshqitur kaq lehtësisht dhe argëtueshëm saga e egër e xanxarit Mihal Kokëdhima, e cila u kurorëzua sot me transmetimin absurd ‘live’ nga shembja e lokalit të tij famëkeq në Himarë.

Ai do kishte mbetur i shtrirë në spital, dorëfashuar dhe shpirtdërrmuar nga keqtrajtimi barbar që i rezervuan turistët spanjollë dhe shoqëruesit kriminelë shqiptarë.

Sikur të ishte minoritar grek, një pelegrinazh lulesh dhe patriotësh ezmerë nga vendi fqinj do vërtitej rreth shtratit të Mihalisit, i cili, shtrirë si një Krisht lëngonjës mbi pëlhurat e bardha të prehjes astrale, do vazhdonte të mbante në shpirt kryqin e rëndë të vuajtjeve historike të mioritarëve në Shqipëri, për të pestën ditë radhazi.

Zyrtarët grekë nga qeveria e re e djathtë do dilnin me deklarata që tingëllojnë si shuplaka, duke ngritur edhe një herë në zenit të gjëmës, nëpërkëmbjen tradicionale të popullit grek në Shqipëri. Ata do kërcënonin qeverinë shqiptare për kundërmasa të ashpra.

Konvencional do vinte reagimi nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, i cili në mungesë të Ditmir Bushatit, nuk do përmbante elegancën klasike dhe ironinë ajrore të reagimeve të mëparshme, por do të ishte të paktën i sjellshëm dhe përgjithësisht i qytetëruar.

Nuk dihet me siguri nëse Mihalis do të ishte arrestuar ndërkohë dhe nëse dikush do të kishte pasur guximin ta tërhiqte zvarrë nga lëngata e tij e rreme për ta fluturuar në qeli, por rinia e galvanizuar mioritare do shpejtonte rrugëve të Himarës duke i rënë borive dhe duke valëvitur flamujt e Hellasit.

Patriotët e Vlorës do ngreheshin në këtë vapë dhe do të formonin një autokolonë me flamuj të kuq për t’u nisur drejt Himarës, por vetëm për t’u bllokuar nga policia diku afër Dukatit. Ndërkaq, një autobus plot me kosovare që quhen Vlora dhe Saranda dhe që pasi ishin kënaqur duke bërë selfie në Vlorë, ishin nisur drejt Sarandës, do të goditej me gurë diku pas Himare.

Saranda flokartë, me një cullufe përskuqur nga gjaku, do të shfaqej në të gjitha mediat vendase. Pas vetëm pak orësh, fotoja e saj do të bënte xhiron edhe të mediave ndërkombëtare. Fronti i grave patriote do të dilnin në protesta para ambasadës greke me parulla “Unë jam Saranda”. Dikush do e ngatërronte me Vlorën, e cila thjesht ishte shokuar duke parë ciflat që kishin gërvishtur lëkurën e Sarandës të butë si hasude. Ndaj do shfaqeshin edhe parullat e tjera “Unë jam Vlora”.

Një katundar i rastësishëm por me zell nacionalist, do e keqkuptonte situatën dhe do dilte me thirrjen “Saranda nuk është greke, por shqiptare si Vlora”. Do ngriheshin spekulime që Saranda njeriu, jo qyteti, qenkësh agjente greke. Ndërkohë, analistët do japin shpjegime fantastike me ndikim rus dhe varre pellazge.

Rama do dilte sërish në TV me një çehre ca të shqetësuar dhe tepër të bezdisur, ku në sy i lexohet fjala “katunarët”. Me vetëpërmbajtje olimpike do lëshonte diçka cool, frymëzuese dhe folklorike që do entuziazmonte tifozët kudo në Ballkan. “Një stuhi në gotën e uzos së Mihallaqit nuk mund të shpëlajë të vërtetën e kristaltë si deti Jon dhe as të grisë flamujt tanë të krenarisë”, do thoshte ndër të tjera.

Duke imagjinuar brohorimat nga ana tjetër e objektivëve të kamerave, në lokale dhe shtëpitë e shqiptarisë që e ndjekin live, ai do të mbyste një gajasje të brendshme përmes një nënqeshjeje të lehtë, teksa imagjinonte në të ëmblin perversion sesi do të ekzaltoheshin debilët po të bënte shenjën e shqiponjës.

Vërtet, dy debilë me maska që pretendojnë se i përkasin Çetës për Çlirimin e Çamërisë (ÇÇÇ) do të bënin një deklaratë video që do t’ua shpërndanin mediave. Gjatë videos do t’i drejtoheshin njëri-tjetrit me “Apo jo vëlla”, çka do të ngrinte spekulime që ishin me gjasa lebër, por ndoshta edhe të infiltruar nga radhët e LSI-së.

Në të vërtetë, kur të arrestoheshin pas katër orësh, ngaqë kishin përdorur telefonin e vet për të filmuar dhe dërguar videon, do të rezultonte që ishin dy karagjozë fierakë, por që pavarësisht rrengut, do të hetoheshin për terrorizëm.

Ndërkohë, grekët, prej ditësh kthejnë vizitorë mbrapsht në kufi mes radhëve artificialisht të gjata. Nacionalistët në dheun amë të qytetërimit perëndimor (i cili, në fakt, është më shumë lindor por ky është tjetër muhabet) do të sulmojnë shqiptarët e atjeshëm.

Do të ushtonte më në fund thirrja për luftë, nxitur edhe nga nacional-socialistët e partisë kosovare dhe të tjerë sokolë të shqiptarisë. Erdogani do kruante gurmazin nga vizita e rastësishme që do të bënte në xhaminë që po ndërtohet në Tiranë dhe do lëshonte një kërcënim të akullt ndaj Greqisë.

Stoltenberg i NATO-s do të dilte në konferencë urgjente për t’u kujtuar të gjithë fqinjëve mesdhetarë të përfshirë në këtë mesele se janë shtete anëtare të Aleancës dhe si të tilla këto fërkime janë të papranueshme.

Paralelisht, Mihalisi i egjër, tashmë martir i një prej qytetërimeve më të ndriçuara në planet, do të shihte gjithë kënaqësi këtë rrëmujë në celular, me një buzëqeshje krenarie të pashoqe.

Një polic i lodhur, gjithsej 62 kg, i caktuar të ruajë në derën e dhomës së Tarzanit që tashmë ka shtuar ca peshë, sheh i tronditur celularin e vet.

Debilët patriotë kanë shtuar numrat në demonstrata të fuqishme në disa qytete të Shqipërisë dhe një faqe e re e historisë së Ballkanit nis të shkruhet mes një drite të errët.