Simmons: Kuvendi i Kosovës ta hetojë EULEX-in “për dërgimin e dosjeve në Serbi”

Simmons: Kuvendi i Kosovës ta hetojë EULEX-in “për dërgimin e dosjeve në Serbi”

Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, deklaroi të shtunën se Parlamenti i Kosovës duhet të hetojë tri çështje, ku përfshihet edhe dërgimi i disa dosjeve të cilat ai pretendon se EULEX-i i ka dërguar në Serbi lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, njofton Insajderi.

Një ditë më parë, në media është publikuar një letër që Simmons ia kishte dërguar kryeministrit Albin Kurti, të cilën është raportuar se ishte një pjesë e dëshmisë së tij “për skandalet e kryera nga misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit”.

Mbi këtë bazë, Simmons kishte kërkuar të raportojë në Kuvendin e Kosovës për të gjitha këto pretendime.

“Çështjet që duhet të jenë objekt i një hetimi parlamentar përfshijnë: 1. EULEX dorëzon në Serbi dosjet e prokurorisë në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë; 2. Pretendimet e dokumentuara të ndërhyrjes në gjykimet penale; 3. Pretendimet e dokumentuara të manipulimit të dëshmitarëve të mbrojtur”, ka shkruar ai në Twitter./Insajderi.com