Sindikalistët e shëndetësisë paralajmërojnë protesta për të premten

Sindikalistët e shëndetësisë paralajmërojnë protesta për të premten

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se të premten do të mbahet protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

Protesta do të mbahet nga ora 11:00 deri në orën 11:30. Ndërsa para Qeverisë, Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës do të mbahet në ora 13:00 deri 13:30.

FSSHK po kërkon nga MSH-ja që të vazhdohet dialogu social, të nxjerrët udhëzim administrativ për shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë FSSHK-ja ka thënë se kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës janë të miratohet Ligji mbi Pagat dhe po ashtu të aplikohen shtesat mbi pagë të bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për luftimin dhe parandalimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

“Pjesëmarrës në protestë do të jenë vetëm anëtarët e Kryesisë së FSSHK-së për shkak të situatës së krijuar me Pandeminë COVID-19. Njëkohësisht ju njoftojmë që protesta jonë e ka përkrahjen nga gjitha odat e profesionistëve shëndetësor dhe shoqatat sindikale”, bëhet e ditur në komunikatën për media./Insajderi.com