Sindikalistët protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë: Vitia na ka neglizhuar

Sindikalistët protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë: Vitia na ka neglizhuar

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë ka protestuar të premten para Ministrisë së Shëndetësisë, përcjell Insajderi.com.

Në një konferencë për media, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, u shpreh se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka neglizhuar punëtorët shëndetësor, duke mos i pajisur me barna dhe duke mos u paguar shtesat.

“Mu në këtë ndërtesë ministri Vitia për gjatë kësaj kohe, në kohë të pandemisë e ka neglizhuar totalisht punëtorin shëndetësor dhe ka ndërpre çdo dialog social, ka qenë vetëm një takim i vetëm kur ne kemi ofruar ndihmë për vaksina, dhe asgjë më tepër.

Si rrjedhojë e kësaj, zotëri Vitia as që na ka ftuar të vazhdohet me dialog social dhe kërkesat tona të shkojnë në Qeveri, si e tillë kemi një ofendim dhe degradim të punëtorëve shëndetësor. Nuk është e vërtetë se kemi mjaftueshëm barna, nuk është e vërtetë që na kanë dhënë shtesat”, pohoi ai”, tha ai.

Syla tha se me këto veprime, Vitia është duke iu bërë shkelje të drejtave të punëtorëve shëndetësor.

“Kemi shkelje të drejtave të mjekëve, infermierëve, specializantëve dhe të gjithë zinxhirit komandues që shkon vetëm e vetëm për neglizhencën e ministrit Vitia, i cili punëtorin shëndetësor e ka lënë nën mëshirën e menaxhereve të tij. FSSHK nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përveç se të dalim në protestë”, shtoi ai.

Po ashtu, Syla tha se të premten në ora 13:00, do të mbajnë edhe pjesën e dytë të protestës para ndërtesës së Qeverisë./Insajderi.com