Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në një komunikatë për media ka paralajmëruar “telashe nga shtatori”, nëse harrohen kërkesat e tyre për rishikim të buxhetit.
SBASHK thotë se ashtu siç dëshirojnë anëtarët e sindikatës do të veprohet në rast se kërkesat e tyre nuk realizohen.
“Kryetari i SBASHK-ut duke përcjellë zërin e të punësuarve në arsim i ka deklaruar kryeministrit Hoti se nëse kjo kërkesë nuk përfillet dhe nëse nuk punohet me përkushtim në ripërgatitjen e Ligjit të pagave për të bërë sa më shpejt të implementueshëm atë, atëherë shtatori mund të fillojë me telashe dhe me veprime sindikale, të cilat do të ndodhin ashtu si vendosin organet përgjegjëse të SBASHK-ut e duke u bazuar në kërkesat e anëtarësisë që nga çerdhet, Arsimi Parauniversitar dhe Universitetet”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.
Sipas SBASHK-së se nuk duhet assesi të harrohen kërkesat e punëtorëve arsimorë.
“Me rishikimin e buxhetit mos të harrohen kërkesat e punëtorëve arsimor SBASHK-u duke përcjellë zërin e gjithë të punësuarve në arsimin e Kosovës kujton deputetët e Parlamentit të Kosovës që duke debatuar për rishikimin e buxhetit të Kosovës mos të harrojnë kërkesat e punëtorëve arsimor të cilat SBASHK vazhdimisht i ka bërë publike dhe i ka prezantuar edhe në takimin e 1 korrikut me Kryeministrin Hoti, takim në të cilin ishin edhe zv kryeministri, Driton Selmanaj dhe kryetarët e pesë sindikatave që përfaqësojnë numrin më të madh të të punësuarve në sektorin publik”, thuhet në komunikatë.
Grevat e kësaj sindikate ishin të shpeshta edhe në të kaluarën me kërkesën e njëjtë; rritjen e pagave. /Insajderi.com/