Projektligji për Pagat dhe koeficienti i vendosur është “i papranueshëm” për Sindikatën e Policisë së Kosovës.
Sipas kryetarit të kësaj sindikate, Imer Zeqiri, koeficienti i pagës së policit është “diskriminues”, bazuar në draftin e koeficienteve që po punohet nga Ministria e Brendshme.
“Na është ofruar një Projektligj të cilën ne si sindikatë e kemi analizuar dhe kemi konstatuar se një gjë e tillë nuk është e pranueshme për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit. Është e papranueshme rangimi i koeficienteve të Policisë së Kosovës në krahasim me institucionet tjera”, deklaroi Zeqiri.
Zeqiri shtoi se kanë pakënaqësi edhe sa i përket mungesës së sigurimit shëndetësor.
“Jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e botë, nuk ka polici pa sigurim shëndetësor. Policia mbetet më së gjati pa sigurim shëndetësor”, tha ai.
Sipas kreut të Sindikatës, rreth 5 milionë euro në vit do të kushtonte sigurime shëndetësor për Policinë e Kosovës.
“Policia i ka 9.119 punonjës, kjo shifër përfshin edhe stafin civil. Kemi 21 zyrtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. 300 kanë vdekur në detyrë, 426 që janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës. 528 policë me sëmundje të veçanta. Prej fillimit të pandemisë, 25 zyrtarë kanë vdekur nga pandemia. Mbi 2.500 janë infektuar me COVID-19”, tha tutje ai.
Zeqiri po ashtu deklaroi se prej themelimit të Policisë së Kosovës, 1 mijë e 108 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje vullnetare.
“Këto shifra janë tregues i sfidave të zyrtarëve policorë gjatë këtyre viteve, dhe mendojmë që policia duhet të ketë trajtim më të dinjitetshëm”.
Këto deklarata Zeqiri i bëri të martën gjatë raportimit para Komisionit për Siguri./Insajderi.com