Sindikata e Policisë së Kosovës dënon ashpër sulmin ndaj policëve në Mitrovicën Veriore

Sindikata e Policisë së Kosovës dënon ashpër sulmin ndaj policëve në Mitrovicën Veriore

Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj zyrtarëve policorë të mërkurën në Mitrovicën e Veriut nga serbët lokalë, përcjell Insajderi.com.

Përmes një komunikate, Sindikata ka kërkuar nga institucionet gjegjëse që sa më shpejt t’i japin epilog këtij dhe të gjitha rasteve që kanë për objekt sulmin e Policisë së Kosovës.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës

Sipas Sindikatës, Policia e Kosovës është profesionale dhe po punon në respektim dhe zbatim të ligjit, teksa kërkon nga qytetarët që të përkrahin Policinë në punën e tyre.

‘Kërkojmë  nga qytetaret e vendit që Policin  e Kosovës të përkrahët në punën e tyre, si në luftën kundër krimit dhe në detyrat e jashtëzakonshme me rrezik edhe për jetën e tyre dhe të çdo qytetari në Republikës e Kosovës.

Ne edhe një herë kërkojmë nga organet kompetente që të marrë masa ndaj personave te papërgjegjshëm, të cilët lënduan policët në krye të detyrës”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Ndryshe, paraditen e së mërkurës, Policia e Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar një operacion kundër kontrabandimit të mallrave në disa rajone të vendit.

Operacioni është zhvilluar edhe në Mitrovicën e Veriut, ku serbët lokalë penguan zyrtarët policorë në kryerjen e këtij operacioni duke i sulmuar ata me armë zjarri, granata dore, shok bomba etj.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mërkurën, tha se të lënduar nga ky aksion mbetën 10 zyrtarë policorë, teksa shtoi se ka dyshime që ky aksion u dekonspirua – gjë për të cilën kanë nisur hetimet./Insajderi.com