Sindikata e Shëndetësisë: Kërkesa e Ramës joserioze, Kosova s’duhet ta pranojë ndryshimin e planit për vaksinim

Sindikata e Shëndetësisë: Kërkesa e Ramës joserioze, Kosova s’duhet ta pranojë ndryshimin e planit për vaksinim

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se kërkesa e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për dërgimin e 50 doktorëve në Tiranë për vaksinim nuk është serioze, transmeton Insajderi.

Kryeministri i Shqipërisë së fundmi ka deklaruar se Shqipëria nuk mund të dërgojë vaksina në Kosovë siç ishte premtuar më parë për shkak të rregullave që ka vendosur Pfizer.

Ndryshimi i këtij plani nga mantel bardhët në Kosovës po shihet si diçka joserioze, por Ministria e Shëndetësisë thotë se do të qëndrojnë në kontakte me homologët nga Tirana për këtë çështje.

“Nëse do të isha pyetur si kryetar i Federatës do të jepja një përgjigje negative për Ramën. Nuk jemi kundër vaksinimit por nuk mund të bëjmë diferencime e në mesin e 14 mijë punëtorëve të shëndetësisë t’i zgjedhim 50 e t’i vaksinojmë. Kjo nuk është serioze. Nëse duan të na ndihmojnë si duhet e jo të bëhen marketingje politike”, tha Syla për RTV Dukagjinin.

Ndërkohë që nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë në kontakt me institucionet shëndetësore të Shqipërisë dhe se për çdo të re për këtë çështje, do të njoftohet publiku.

Më 1 janar të këtij viti Rama kishte deklaruar se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania amerikane ‘Pfizer’.

Dozat e para, gjithsej 10 mijë e 750, do të mbrrijnë në Shqipëri “në fillim të javës së tretë të janarit”, kishte deklaruar Rama, ndërsa dozat e tjera “gjatë muajit shkurt”.

Rama po ashtu pati premtuar se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë. /Insajderi.com