Sipas Institutit GAP, Qeveria e Kosovës ka rritur buxhetin në disa fusha për të cilat ka rekomanduar Komisioni Evropian, por kjo rritje është e pamjaftueshme.
Në raportin “Buxheti 2018 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”, në të cilin analizohen rekomandimet e KE-së për Kosovën karshi ndarjeve buxhetore për vitin 2018, GAP thotë se rritja e numrit të ministrive dhe fragmentimi i institucioneve të pavarura ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve rrjedhëse buxhetore dhe ka penguar kohezionin në vendimmarrje.
Sipas këtij raporti, nëse qeveria dëshiron të funksionojë në mënyrë optimale dhe të shmangë problemin e shpërndarjes së kompetencave, duhet të ulë numrin e ministrive nga 21 në 13.
Në përllogaritjet e këtij institucioni del se nga kjo ulje e numrit të ministrive, vetëm nga shpenzimet e pagave, telefonisë mobile dhe drekave, buxhetit të Kosovës do t’i kurseheshin rreth 3.2 milionë euro në vit apo 12.9 milionë euro për një mandat qeverisës prej katër vitesh.
“Buxheti për rend dhe siguri publike është rritur krahasuar me vitin e kaluar, mirëpo duhet buxhet i shtuar për trajnim të prokurorëve dhe gjyqtarëve, financim të strategjisë kundër-korrupsion dhe në përgjithësi rritjen e kapaciteteve për luftën ndaj korrupsionit”, thuhet më tej në raport. “Sa i përket zhvillimit të tregut dhe arsimit, shpenzimet në arsim dhe hulumtime mbesin ndër më të ulëtat në rajon. Ka pasur një rritje të buxhetit tek institucionet që merren më zhvillimin e tregut në kuadër të MTI-së, mirëpo buxheti për disa nga këto institucione mbetet i pamjaftueshëm. Në anën tjetër, shqetësuese mbetet funksionimi i ZRRE-së për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm. Gjithashtu, përkundër rritjes së buxhetit të Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, ende nuk është themeluar fondi për efiçience të energjisë”.
GAP po ashtu ka thënë se rritja e buxhetit edhe në shëndetësi është e pamjaftueshme.
“Rreth 40% e shpenzimeve në shëndetësi paguhen nga xhepat e qytetarëve dhe kjo është rreth dyfishi i përqindjes së shpenzimeve të qytetarëve në BE. Edhe sa i përket çështjeve sociale, për shkak të rregullimit të dobët ligjor, financimi i shërbimeve sociale nga komunat është i ulët. Sa i përket çështjeve mjedisore, ka pasur një ngritje të buxhetit mirëpo MMPH nuk i është përgjigjur Institutit GAP nëse ky buxhet është i mjaftueshëm”, ka vlerësuar GAP-i.
Probleme të financimit ka edhe në fushën e medieve dhe statistikave, sipas këtij raporti. “Ashtu sikurse vitet e kaluar, ende nuk është siguruar një formë e qëndrueshme e financimit për RTK-në, ndërsa mungesë e buxhetit është cilësuar të ketë edhe KPM dhe ASK”.