Sipas GDP-së a duhet të ketë zgjedhje të reja

Sipas GDP-së a duhet të ketë zgjedhje të reja

Dardan Sejdiu nga Grupi i Deputetëve të Pavarur ka thënë në Zona e Debatit në Klan Kosova se Kosovës nuk i duhet një qeveri që s’mund ta mirëmbajë shumicën në Kuvend, kur u pyet se a janë pro zgjedhjeve deputetët që tash vonë u ndan nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Një qeveri që nuk është në gjendje të mirëmbajë shumicën nuk ka përse të qëndrojë”, ka deklaruar ai, pasi paraprakisht tha se “kjo elitë jeton në kriza artificiale – po flas për këtë treshe katërshe që e udhëheqë këtë vend”.

Ai ka folur edhe për partinë e re që pritet ta formojnë dhe si do duket ajo.

“Mendojmë të fillojë të ndërtojmë një subjekt që do ta ketë normalisht edhe emrin e vet. Në grupin tonë ka mjaftueshëm njerëz që i janë bashkangjitur këtij udhëtimi. Mund të dalim me ndonjë emër që simbolizon këtë që ka të bëjë me politikën, por edhe thirrje për njerëz që të bashkëngjiten”.“Ajo çka i duhet kësaj Republike është një politikë, një grup, një gjeneratë që e trajton mirëqenien e qytetarit si thelbin e angazhimit në politikë. Mirëqenia e qytetarit lidhet me disa shtylla dhe e para është papunësia, cili është ligji ekonomik për këtë diagnozë?”.

Sejdiu ka treguar edhe për atë se a do të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen – partinë që dikur i takonin.

Lëvizja Vetëvendosje është një subjekt i majtë dhe me ta e kemi lehtë të bashkëpunojmë sa i përket politikëbërjes. Por, ajo çka është e qartë është të shpërfaqim kush e ka faturën kryesore për llojin e qeverisjes që e kemi këtu në Kosovë. Këtë faturë duhet ta shpërfaqim mirë. Prandaj, nuk është ideja të flasim me këndë, por për çka?”.

“Është e qartë që PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, dhe kjo gjendje në Kosovë është pasojë direkte e llojit që e kanë përfaqësuar ata”.