
Richard Grenell, emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar në Twitter se është i lumtur tek sheh evropianët të avancojnë përpara agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Grenell i është referuar lajmit se euro-deputetët i janë drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel, se duhet sa më parë t’i liberalizohen Kosovës vizat, sepse tashmë veç i ka plotësuar kushtet.
Sipas Grenell, është aksioni amerikan për të normalizuar raportet ekonomike në mes të Kosovës e Serbisë që i ka nxitur edhe evropianët më pas të ndërmarrin veprime.
“Më në fund. Ky është një lajm i mirëseardhur edhe nëse është vetëm për disa industri biznesi. Fokusimi i SHBA-ve në normalizimin ekonomik ka motivuar veprime nga evropianët. Dhe ne jemi të lumtur tek i shohim ata duke marrë primatin”, shkruan Grenell në Twitter./Insajderi.com