SIPAS KËRKESAVE TË TREGUT

Përgatitja e studentëve sipas kërkesave të tregut të punës është receta për dështim. Asnjë nga shpikjet e mëdha të njeriut, asnjë nga gjetjet e tij, asgjë nga ato që ne përdorim sot “sipas kërkesave të tregut” nuk është krijuar sipas kërkesave të tregut. Njerëzit e mëdhenj nuk kanë qenë kurrë në shërbim të tregjeve por përkundrazi, i kanë sfiduar tregjet ekzistuese dhe kanë hapur tregje të reja. Shpikjet e mëdha nuk janë bërë si kërkesë e tregut por si një sfidë ndaj tij. Karavelat zvogëluan botën dhe hekurudhat çanë përmes vendeve të largëta jo që t’i shërbenin ndonjë tregu por që ta krijonin atë atje ku ai nuk ishte.

SIPAS KËRKESAVE TË TREGUT

Autor: Ridvan Peshkopia

“Sipas kërkesave të tregut”.

Nuk besoj se ndokush në vendit tonë nuk e ka dëgjuar deri në trullosje këtë shprehje sinjalizuese se ai që po e kumpton është një person “trendy,” që e di mirë se çfarë flet, se e kontrollon situatën dhe se ka një pamje të mirë dhe thuajse të plotë të së ardhmes së njerëzimit.

Shprehjen në fjalë ai/ajo e kanë dëgjuar nëpër seminare me “ekspertë ndërkombëtarë” nga vende mike që na duan të mirën. Nuk e kupton mirë dhe thellë këtë shprehje sepse as nuk ia ka shpjeguar njeri në thellësi dhe as ka vrarë mendjen për ta gjetur kuptimin e vërtetë të saj. Thjesht i është dukur si një slogan që përfshin mënyrën se si bëhen gjërat në kohën tonë dhe kjo mjafton për të krijuar atë stabilitet intelektual dhe social aq të nevojshëm për të siguruar pagimin e rregullt të kredisë së apartamentit.

Në sektorin e arsimit, kjo shprehje është parrulla magjike që frymëzon kurrikulat mësimore dhe është e sanksionuar në ligje, nënligje, akte administrative dhe rregullore.

Kur do të bindësh dikë se je duke e kryer mirë detyrën tënde pedagogjike, duhet të thuash se po përgatit studentët sipas kërkesave të tregut të punës. Kur ndonjë koleg kritikon silabusin tënd, ti mund t’i përgjigjesh atij flakë për flakë se silabusi yt është ndërtuar sipas kërkesave të tregut të punës. Nëse u thuhet prindërve se programi që ofrohet për fëmijët e tyre është hartuar sipas kërkesave të tregut të punës, është shumë e mundur që ata do të ndjehen të lehtësuar dhe do të ta besojnë shkollimin e fëmijës. Sepse tek e fundit, tregu i punës është zot dhe ne jemi të gjithë në funksion të tij. Këto janë pasojat e 30 viteve neoliberalizëm ekonomiko-politik, 300 viteve liberalizëm ekonomik dhe, mes shqiptarëve, 3000 viteve sterilitet intelektual.

Nuk di nëse ndonjëri nga ju mund ta bëjë paralelen e “sipas kërkesave të tregut të punës” me “sipas kërkesave të zhvillimit socialist të vendit,” por ontologjikisht mua krahasimi më duket me shumë vend.

Në të dy rastet, synimi është që sistemi ynë arsimor dhe shoqëria në përgjithësi të marrë fëmijë të pafajshëm dhe t’ua përdredhë fatalisht mendjen në shërbim të përbindshave të tillë si socializmi apo tregu. Synimi është që njeriu të vendoset në shërbim të strukturave shoqërore jashtë kontrollit të vet dhe shpesh edhe jashtë perceptimit të vet. Edhe një teorist tashmë i lodhur i tregut të lirë, Adam Smithi, kuptimin më të thellë që kishte për tregun e lirë ishte në formën e një dore të padukshme (Faleminderit shumë, Demo! Ishe shumë i qartë). Kësisoj, për mua, përgatitja e njerëzve për tregun e punës më duket po aq eterike sa edhe përgatitja e tyre për në Parajsë (apo për t’i shërbyer ndërtimit socialist të vendit, me që ra fjala): në të gjitha këto raste, objektivi është një gjendje metafizike të cilën, që të kesh gjasa për ta arritur, duhet shumë shërbim, përdëllim, nënshtim dhe sakrifica.

Pas kësaj hyrjeje, besoj se ju tashmë do prisni që të them se shprehja “sipas kërkesave të tregut” kondenson në vetvete gjithçka shkon keq në shoqërinë tonë. E gjetët, këtë desha të them. Kjo shprehje e tmerrshme pasqyron katastofën bashkëkohore humane dhe intelektuale, robërinë e trupit, mendjes dhe shpirtit, mjerimin e një qytetërimi që përgatitet dhe jeton sipas kërkesave dhe normave të strukturave që as nuk i di dhe as nuk i përfytyron dot. Dhe ashtu si njerëzit përpiqen t’u japin në përfytyrimin e tyre trajta antropomorfe konstrukteve metafizike (Zoti abrahamik është ai burri me mjekër të bardhë dhe vdekja është Kositësi i Zi), sipas rrëfenjave zyrtare dhe gjysëmzyrtare të shoqërisë tonë, unë e përfytyroj tregun si një trashaluq në një mejhane buzë rrugës i cili gllabëron si qofte fëmijët tanë, të cilët ne ia kemi përgatitur tashmë në guzhinën e arsimit tonë bashkëkohor sipas kërkesave të tij.

Përgatitja e studentëve sipas kërkesave të tregut të punës është receta për dështim. Asnjë nga shpikjet e mëdha të njeriut, asnjë nga gjetjet e tij, asgjë nga ato që ne përdorim sot “sipas kërkesave të tregut” nuk është krijuar sipas kërkesave të tregut. Njerëzit e mëdhenj nuk kanë qenë kurrë në shërbim të tregjeve por përkundrazi, i kanë sfiduar tregjet ekzistuese dhe kanë hapur tregje të reja. Shpikjet e mëdha nuk janë bërë si kërkesë e tregut por si një sfidë ndaj tij. Karavelat zvogëluan botën dhe hekurudhat çanë përmes vendeve të largëta jo që t’i shërbenin ndonjë tregu por që ta krijonin atë atje ku ai nuk ishte. Nuk i kërkonim ne Windows-in, Apple-n apo Android-in por na i ofruan krijuesit e tyre. Ne sot i admirojmë shpikësit (shumë nga të cilët kanë vdekur të varfër) pikërisht sepse në nënvetëdijen tonë ata na kujtojnë se nuk na bën ne tregu por e bëjmë ne atë dhe kësisoj, nuk i shërbejmë ne tregut “sipas kërkesave të tij” por na shërben tregu ne, sipas kërkesave tona.

Për mendimin tim, nuk ka shprehje më depersonalizuese, fyese dhe nënçmuese se shprehja “po përgatisim studentë sipas kërkesave të tregut të punës”. Këtë unë e lexoj si përgatitje e individëve të aftë të funksionojnë në një rutinë të përditshme pune por të paaftë ta sfidojnë atë. Këta janë burokratë dhe teknokratë njëkohësisht të admirueshëm dhe të frikshëm në saktësinë e tyre por me fantazi të cunguar për shkak të formimit arsimor dhe mësimit nga praktikat e përditshme se tregu nuk lejon improvizim dhe as rebelim. Andaj ne duhet të jemi të lumtur sot që Bill Gejtsi dhe Stiv Jobsi nuk ishin të arsimuar “sipas kërkesave të tregut të punës” dhe se ata mund të shërbejnë si mësim për ne se shprehje të tilla, më së paku, janë krejt të pavlera.

Thashë më se paku. Sepse në të vërtetë, ajo është një shprehje shumë e rrezikshme në domethënien e vet. Thuajse e panjohur më parë, ajo shprehje u shfaq dhe më pas monopolizoi mendimin ekonomik, politik, pedagogjik dhe shpesh edhe atë intelektual nga fillimi i viteve 1990, me triumfin e revolucionit neoliberal dhe marrshimin e globalizmit.

Tani tregu u bë ideologjia sunduese dhe shërbimi ndaj tij u bë një “detyrë qytetare” dhe një certifikatë e korrektësisë politike. Po të mos adhuroje tregun ishe ose komunist, ose fashist. Kjo ideologji u formulua në mbështetje të një strukture tregu dhe ata që përfituan prej saj e inkulkuan atë në të gjithë sistemin ekonomiko-politik ndërkombëtar si të vërtetën pa alternativë: tregjeve u shërbehet. Kjo ideologji u lidh në formën logjike se, meqë tregjet funksionojnë, shërbimi ndaj tyre do shpërblehet.

Por koha tregoi se as tregjet nuk funksionojnë siç është shitur nga neoliberalët dhe as nuk arrijnë të shpërblejnë të gjithë me të njëjtin dinjitet (pa folur këtu për pabarazitë e llahtarshme që këto tregje po krijojnë anembanë botës). Shumica e atyre që janë arsimuar “sipas kërkesave të tregut të punës” janë në bisht të përfitimeve prej tij, ndërsa në krye janë ata që i krijojnë dhe zotërojnë këto tregje, spekulatorë të llojit të Sorrosit me shokë.

Janë pikërisht ata që financojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë përgatitjen e studentëve “sipas kërkesave të tregut të punës”, lexo, skllevër anonimë në shërbim të një sistemi ku ata që përfitojnë dhe ata që shërbejnë janë qartësisht të ndarë.

Shprehja “sipas kërkesave të tregut të punës” është parrulla e një sistemi socioekonomik dhe politik që, ashtu si edhe sisteme të tjera ideologjike më parë, kërkon të vrasë çdo rivalitet ekonomiko-politik dhe të paraqitet si rendi i përjetshëm.

Tregjet e tyre janë të shenjtë dhe ata nuk mund të falin askënd, madje as Donald Trampin, kur ky i rrezikon ato me luftëra tregtare si ato që ai nisi me Meksikën, Kanadanë, BE-në dhe Kinën.

Krimi i pafalshëm i Donald Trampit ishte pikërisht se ai nuk funksionoi “sipas kërkesave të tregut”, lexo, sipas kërkesave të elitave globaliste që zotërojnë këtë treg.

Nga sa shkrova më lart, alternativa nuk është e vështirë për t’u ndërtuar por, sidomos për ne shqiptarët e paboshtë, e pamundur për t’u zbatuar.

Sistemi ynë arsimor nuk duhet të përgatisë studentë “sipas kërkesave të tregut të punës” por duhet të përgatisë NJERËZ, me kuptimin e gjerë të fjalës, mendimtarë, shpikës, inovatorë, prodhues, entitete individuale të vetëdijshëm për vendin dhe rolin e tyre në shoqëri dhe të brymosur me besimin se NJERIU është zot i fateve të veta dhe se strukturat shoqërore, përfshi tregjet, ai i ndërton, mban nën kontroll, korrigjon dhe ndryshon sipas interesave dhe nevojave të veta.

Ai nuk përgatitet “sipas nevojave të tregut të punës” por përgatitet që ta përdorë tregun e punës për nevojat e veta dhe të të gjithë njerëzimit. Vetëm kështu do të mundet ai të krijojë tregje që punojnë për të gjithë dhe jo vetëm për disa.

Ridvan Peshkopia është Lektor i Metodave Kërkimore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Kosovë. Ai ka doktoraturën në shkenca politike nga Universiteti i Kentakit në ShBA dhe ka qenë studiues post-doktoral në Universitetin Xhorxh Uashington. Fusha e tij e hulumtimit shtrihet gjerësisht në modelimet matematikore dhe statistikore të sjelljes politike.