“Sistina” shkel ligjet e Kosovës, Inspektorati ia ndalon konsultat për IVF në Prishtinë

“Sistina” shkel ligjet e Kosovës, Inspektorati ia ndalon konsultat për IVF në Prishtinë

Një hulumtim i Gazetës Shneta ka rezultuar me ndalimin e konsultave të jashtëligjshme për IVF të një doktoreshe nga spitali “Acibadem Sistina” në Prishtinë. Inspektorati Shëndetësor i MSH-së ia ka ndaluar konsultat me pacientë Dr. Klementina Kuzeska pasi s’kishte licencë në Prishtinë

Spitali “Acibadem Sistina” nga Shkupi ka paralajmëruar disa ditë më parë ardhjen e Dr. Klementina Kuzeska në Prishtinë për t’iu ofruar pacientëve kosovarë konsulta falas për frytnim të asistuar mjekësor gjatë ditës së sotme. Gazeta Shneta ka hulumtuar ardhjen e saj dhe ka rezultuar se Kuzeska nuk kishte marr licencë nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer këtë shërbim.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga MSH nëse “Sistina” ka aplikuar për licencë të përkohshme për profesionistë të huaj pranë Bordit për licencim të profesionistëve shëndetësor. MSH ka konfirmuar për Gazetën se ky institucion nuk kishte aplikuar asnjëherë për licencimin e Dr. Kuzeskës.

“Ne MSh Bordin per licencim te profesionisteve shëndetësor, nuk ka ardhur ndonjë aplikacion per licencim te doktoreshës në fjale nga asnjë spital në Kosovë deri tash”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ky institucion ka konfirmuar se për të kryer çfarëdo shërbimi nga mjekët e huaj, qoftë edhe konsulta me pacientë, duhet fillimisht të pajiset me licencë.

“Perderisa nje institucion nuk aplikon per licencimin e saj te perkohshem dhe nuk merret licenca per ushtrim te veprimtarise shendetesore ne Kosove, (edhe konsultimi mjekesor konsiderohet sherbim), çdo sherbim i ofruar nga ajo do te konsiderohet ne kundershtim me ligjin dhe Inspektorati Shendetesor do te ndermarr masa konform ligjeve ne fuqi si Ligji per Shendetesi, Ligji per Inspektoratin Shendetesor dhe UA per licencimin e profesionisteve te huaj shendetesor ne Kosove”, ka deklaruar Zyra për Media e MSH-së.

Inspektorati Shëndetësor gjatë ditës së sotme ka ndërmarr aksion në zyrën e “Sistinës” në Prishtinë ku ka gjetur se Dr. Kuzeska ka qenë duke kryer shërbimin e konsultave pa licencë. Me vendim të ISH-së ky shërbim është ndaluar.

“Është ndaluar veprimtaria e doktoreshës në fjalë pasi është kryer në kundërshtim me Udhëzimet Administrative për licencimin e profesionistëve të huaj dhe udhëzimin për frytnim të asistuar mjekësor. Poashtu është kërkuar asistim nga Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë sepse shërbimet në këtë zyre nuk kanë qenë të njëjta me ato që janë në përshkrimin e biznesit”, ka konfirmuar ISh.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga “Sistina” por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje. Nga kjo veprimtari e jashtëligjshme e këtij institucioni nga Maqedonia Veriore kanë pësuar dhjetëra pacientë gjatë ditës së sotme të cilët kishin rezervuar terminë deri në ora 16:00 për të marr këshilla nga mjekja maqedonase. Gazeta ka telefonuar gjatë ditës në zyrë dhe ka konfirmuar se koha për terminë ka qenë e zënë gjatë gjithë ditës. “Mund të siguroni një termin kur doktoresha të vij herën tjetër në Prishtinë”, kanë thënë nga kjo zyre.