Situata me Coronavirus – Nesër hyjnë në fuqi masat e reja

Situata me Coronavirus – Nesër hyjnë në fuqi masat e reja

Qeveria e Kosovës pritet të miratojë masat e reja kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, të cilat do të hyjnë nesër (e mërkurë), njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, zhvilloi sot një takim virtual me komunitetin e biznesit në vend, të cilët i informoi në hollësi me masat e reja anti Covid-19, që pritet të miratohen nga Qeveria dhe të hyjnë në fuqi nga data 23 dhjetor 2020”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se Komuniteti i biznesit ka ofruar mbështetje për masat e reja kundër Coronavirusit si dhe ka insistuar që Kuvendi të mos shpërndahet pa e miratuar buxhetin 2021.

“Kryeministri Hoti i siguroi ata se është në komunikim të vazhdueshëm me grupet parlamentare dhe se po angazhohet maksimalisht që përbërja aktuale e Kuvendit të miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me buxhetin”.

“Kryeministri Hoti dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, u pajtuan se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia Covid -19”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com