Situata me vërshimet – Mbesin pa ujë Fushë Kosova dhe lagjja Kalabria në Prishtinë

Situata me vërshimet – Mbesin pa ujë Fushë Kosova dhe lagjja Kalabria në Prishtinë

Kompania Rajonale e Ujësjëllësit “Prishtina” bën të ditur se është detyruar ta ndërpresë furnizimin me ujë të pijshëm në Fushë Kosovë dhe në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, kjo ndërprerje është bërë për shkak të vërshimeve dhe turbullirave, të cilat e kanë pamundesuar trajtimin e ujit për pije konform standardeve për këto zona.

Nga ujësjllësit njoftojnë se ndërprerje do të ketë edhe në Obiliq e Drenas.

“Për shkak që të bëjmë sado pak shpërndarje të barabartë të ujit, kemi bërë edhe alternative tjera teknike për furnizim. Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit, ne do e rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim, me ç’rast në këtë situatë të rënduar nga vërshimet ju lusim për durim deri në stabilizim të gjendjes, ngase situata e krijuar nga natyra nuk varet nga ne”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtinës.

Tutje, bëhet e ditur se gjendja më e rënduar është në Fushë Kosovë, ku është thënë se kanë marrë veprime parandaluese duke larguar nga prodhimi dy puse nëntokësore, për të ruajtur cilësinë e ujit në plotni./Insajderi.com