Dështimi për të gjetur një kompromis mes partive qeveritare dhe bllokut opozitarë për tejkalimin e krizës politikë ne vend, duket se ka vënë në lëvizje ambasadorët e shteteve me ndikim.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, sot gjatë ditës do të takohet me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, atë të Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell, dhe ambasadorin norvegjez Jaan Brathu.
Gazeta Insajder ka provuar disa herë të kontaktojë më Blerim Latifin, këshilltar i Veselit, për të konfirmuar nëse në këto takime do të bisedohet për krizën politikë në vend, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Por, sot gjatë ditës, e përditshmja Zëri ka raportuar se ambasadorja e Gjermanisë Angelika Viets, ka kërkuar nga dy blloqet politike që të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut dhe në këtë mënyrë të evitojnë zgjedhjet e parakohshme. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe zëdhënësi i ambasadorit amerikan Delawie.
Ambasadat e shteteve të fuqishme në vend kanë ndikim të madh tek politikanët kosovarë. Edhe në negociatat për zgjedhjen e Presidentes Atifete Jahjaga por edhe të qeverisë aktuale kanë qenë prezent përfaqësuesit diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Insajderi/