S’ka kuorum për projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj

S’ka kuorum për projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk ka kuorum për ta votuar projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj, njofton Insajderi.

Ajo ka treguar se në sallë nuk ndodhen as 50 deputetë për ta votuar në parim projektligjin në fjalë.

Madje dy partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës janë shprehur se nuk do ta përkrahin këtë projektligj.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot për të vazhduar shqyrtimin e pikave të mbetura nga seanca e kaluar.

Pika e parë në rend të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, i cili nuk po mbështetet mjaftueshëm.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se projektligji në fjalë nuk do ta ketë përkrahjen e VV-së, pasi sipas tij, ky projektligj i trajton njëjtë shtetasit rus me ata amerikanë.

Gjithashtu edhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do ta votojë projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj.

Sipas tij, projektligji në fjalë përmban shumë paqartësi. /Insajderi.com