“Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë dhe të përfshihet në dialog me vendet skeptike për t’i bindur se Meriton liberalizimin e vizave”.
Kështu ka deklaruar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon, sipas së cilës më e rëndësishmja është që të bindet qeveria franceze për këtë.
“Liberalizimi i vizave është në dorën e Këshillit: Janë vendet anëtare të BE-së ata që do të duhet të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, nuk do të thotë që Qeveria e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë. Rruga përpara është të sigurohemi që Qeveria e Kosovës të përfshihet në një dialog me ato shtete anëtare, të cilat janë skeptike për momentin.
Më e rëndësishmja, qeveria franceze duhet të bindet se Kosova është e gatshme për liberalizimin e vizave. Ata duhet të sigurohen që çdo gjë që Franca ose shtetet e tjera anëtare do të kërkojnë mund të adresohet nga autoritetet kosovare, nëse mund të përcaktojnë aspekte të caktuara, pse hezitojnë deri më tani, Kosova duhet t’i përmirësojë këto aspekte”, ka thënë ajo në përgjigje për KP.
Të pashpresë se liberalizimi i vizave do të ndodh gjatë këtij viti shprehen edhe njohësit në çështjet e integrimeve evropiane.
Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha rendit disa prej arsye, të cilat sipas tij e bëjnë të pamundshme një gjë të tillë.
“Për dy arsye nuk pres ndonjë progres sa i përket liberalizimit të vizave në vitin 2021. Arseja e parë është pandemia dhe duhet të njohim faktin se jetojmë me një realitet të ri politik. Duhet të njohim faktin se ka zgjedhje në vende të BE-së, respektivisht Holandës dhe Gjermanisë. Këto zhvillime politike do të pengojnë ndonjë vendim sa i përket hapjes së kufijve me vendet e treta, në veçanti në kohë të pandemisë. Nuk shoh po thuajse asnjë mundësi që të ketë liberalizim të vizave në vitin 2021”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillim (D4D) ka thënë se kjo çështje varet edhe nga presioni që mund të bëjë qeveria e ardhshme tek Bashkimi Evropian.
“Bashkimi Evropian është vonuar sa i përket liberalizimit të vizave. Mendoj që kjo do të varet edhe nga qeveria jonë sa do të bëjë presion për këtë çështje. Nuk mendoj që duhet t’i mbajmë shpresat tek Portugalia, apo një shtet tjetër. Por, duhet të ngritim këtë çështje në mënyrë të vazhdueshme. Mendoj që është obligim i qeverisë në ardhje ta mbajë lartë në listën e prioriteteve këtë çështje. Duke marrë parasysh COVID-19, problemet me vaksina, me udhëtime, gjithashtu edhe problemet politike nga Franca, Holanda dhe Danimarka nuk mund të presim diçka pozitive”, tha ai.
Edhe vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por për të ndodhur kjo, secili nga shtetet anëtare të BE-së në Këshillin Evropian, duhet ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Prej muajit janar udhëheqjen e Këshillit e ka marrë Portugalia.
Ndërkohë, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen./Insajderi.com